Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një telefonatë me homologun kroat, Gordan Grlić-Radman, duke konfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, postim në X:

Telefonata e parë e frytshme dhe produktive me homologun tim kroat, Gordan Grlić-Radman, gjatë së cilës rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e fortë strategjik ndërmjet Shqipërisë  dhe Kroacisë .

Theksuam rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në sektorë kyç, përfshirë ekonominë, energjinë, mbrojtjen dhe turizmin. Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të ndërlidhjes dhe sigurisë energjetike përmes projekteve madhore rajonale, si Korridori Adriatiko-Jonian, Gazsjellësi Trans Adriatik dhe zgjerimi i tij me Gazsjellësin Joniano-Adriatik si dhe mbi Iniciativën e Tre Deteve — shtylla të rëndësishme për rritjen dhe qëndrueshmërinë në Evropën Juglindore.

Shkëmbyem gjithashtu pikëpamje mbi sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal, duke nënvizuar përgjegjësinë tonë të përbashkët si aleatë në NATO, për të kontribuar në paqe, stabilitet dhe mbrojtje kolektive. Si partnerë të afërt, mbetemi të përkushtuar fort për avancimin e sigurisë, stabilitetit dhe një të ardhmeje të përbashkët evropiane për rajonin.