Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

1.Si e vlerësoni procesin në të cilin morët pjesë sot në Athinë?

Ministri Hoxha: Takime të tilla si ai i sotmi i Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor kanë rëndësi, sepse ndihmojnë që zgjerimi të mos mbetet thjesht një parim abstrakt evropian, por të shndërrohet në një përgjegjësi të përbashkët politike. Për një kohë të gjatë, Ballkani Perëndimor është trajtuar kryesisht si një sfidë që duhej menaxhuar. Sot, gjithnjë e më shumë, ne shihemi si partnerë që duhet të integrohen. Ky ndryshim perspektive nuk është thjesht një ndryshim në gjuhën e përdorur; ai pasqyron një ndryshim në të kuptuarit politik dhe në ambicien tonë.

Është veçanërisht domethënëse që ky diskutim po zhvillohet në Athinë. Greqia ishte ndër vendet e para që shprehu qartë dhe pa ekuivok mbështetjen për të ardhmen evropiane të rajonit tonë. Ky ishte premtimi i Selanikut në vitin 2003, gjatë Presidencës greke të Këshillit të BE-së. Më shumë se dy dekada më vonë, çështja nuk është më nëse ky premtim mbetet i vlefshëm, por sa shpejt dhe sa efektivisht mund ta kthejmë atë në realitet.

Siç u shpreha edhe gjatë takimit, nga viti 2003 deri vetëm pak vite më parë, zgjerimi diskutohej pothuajse gjithmonë në kohën e ardhme. Sot, më në fund, mund të flasim për të në kohën e tashme. Falë, jo pak, përpjekjeve të vazhdueshme të këtij grupi, zgjerimi është rikthyer si një perspektivë konkrete politike. Pyetja që shtrohet përpara nesh nuk është më nëse ai duhet të ndodhë, por nëse kemi vendosmërinë, disiplinën dhe guximin politik për ta çuar deri në përfundim.

Vlerësimi im, për rrjedhojë, është pozitiv, por sigurisht jo i vetëkënaqur. Momenti i krijuar është real dhe duhet ta shfrytëzojmë. Por vetëm momentumi nuk mjafton; ai duhet të ruhet dhe të përkthehet në përparim konkret. Mbi të gjitha, duhet të mbrojmë besueshmërinë e procesit të zgjerimit. Shpesh e kam cilësuar besueshmërinë si monedhën e këtij procesi. Vendet kandidate duhet të vijojnë të japin rezultate në reforma, të dëshmojnë angazhim dhe të përmbushin detyrimet e tyre. Po aq, kur këto përpjekje japin rezultate, vendet anëtare duhet të mbajnë angazhimet e tyre, të njohin progresin dhe të përgjigjen në përputhje me të. Besueshmëria funksionon në të dyja drejtimet. Pikërisht për këtë arsye kanë rëndësi takime të tilla: ato ndihmojnë në ruajtjen e momentit politik, përforcojnë përgjegjshmërinë e ndërsjellë dhe sigurojnë që të dyja palët të qëndrojnë besnike ndaj angazhimeve të tyre.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj kolegun dhe mikun tim, ministrin Gerapetritis, për organizimin e këtij takimi dhe mikpritjen e tij të ngrohtë.

2. Komisioneri Kos u shpreh se Mali i Zi dhe Shqipëria janë në krye të procesit. A mund të bëhet Shqipëria anëtare në gjysmën e dytë të vitit 2027, gjatë Presidencës greke, apo do të nevojitet më shumë kohë?

Ministri Hoxha:  Dua të jem i saktë, sepse saktësia ndërton besueshmërinë. Objektivi ynë është të përfundojmë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027. Vetë anëtarësimi vjen më pas: Traktati i Anëtarësimit duhet të nënshkruhet dhe më pas të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare, proces që kërkon kohë. Realisht, ne e shohim Shqipërinë si anëtare të Bashkimit Evropian përpara fundit të kësaj dekade.

Ritmi i ndjekur deri më tani flet vetë. Më 14 tetor 2024 nuk kishim hapur asnjë kapitull. Brenda 13 muajve arritëm të hapnim të 33 kapitujt. Në maj të këtij viti u bëmë vendi i parë që përmbushi standardet e ndërmjetme për shtetin e së drejtës, sipas metodologjisë së re. Që atëherë, kemi nisur mbylljen provizore të kapitujve.

Nëse përmbyllja e negociatave tona do të përkonte me Presidencën greke, shpresoj që Zoti të na dëgjojë, kjo do të kishte një domethënie të veçantë. Udhëtimi që nisi me premtimin e Selanikut do të arrinte një moment vendimtar nën presidencën e vendit që e bëri atë premtim. Por preferoj që kalendarin ta përcaktojnë rezultatet dhe jo simbolika. Detyra jonë është ta bëjmë të mundur këtë rezultat përmes reformave reale, të qëndrueshme dhe të verifikueshme.

3. Çfarë ishte në axhendën e takimit me ministrin e Jashtëm Gerapetritis? A diskutuat për delimitimin e zonave detare?

Ministri Hoxha: Zhvilluam një bisedë të hapur dhe miqësore, si fqinjë të mirë dhe aleatë të NATO-s, të cilët ndajnë jo vetëm një kufi, por edhe një të ardhme evropiane. Diskutuam rëndësinë thelbësore të zgjerimit si një investim në sigurinë e Evropës, rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe mënyrat se si Greqia mund ta mbështesë atë, sigurinë rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik. Gjithashtu, trajtuam çështjen e njerëzve që janë në zemër të marrëdhënieve tona dhe përbëjnë urën e tyre të gjallë: pakicën kombëtare greke në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi.

Sot nuk u ndalëm në çdo detaj, pasi do të kemi mundësinë t’i vijojmë diskutimet tona kur të mirëpres ministrin në Tiranë në të ardhmen e afërt.

Sa i përket çështjes së delimitimit detar, qëndrimi ynë mbetet i qëndrueshëm dhe i pandryshuar. Në vitin 2020, të dyja qeveritë tona ranë dakord që ta referonin bashkërisht çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ne mbetemi plotësisht të angazhuar ndaj kësaj qasjeje. Kjo është mënyra e duhur që dy vende fqinje evropiane të zgjidhin një çështje ligjore: përmes së drejtës ndërkombëtare, konkretisht të drejtës së detit, dhe nëpërmjet një procesi të bazuar në rregulla, të lirë nga presionet apo politizimi i panevojshëm. Këto janë çështje të rëndësishme, por njëkohësisht komplekse dhe shumë të ndjeshme.

Ashtu si të gjithë fqinjët, kemi çështje për të trajtuar. Ajo që ka rëndësi është mënyra se si i trajtojmë ato: duke u parë në sy njëri-tjetrit, duke ruajtur një dialog të hapur, të sinqertë dhe konstruktiv, si dhe duke iu qasur çdo çështjeje me pjekuri dhe respekt të ndërsjellë.

Marrëdhënia jonë është shumë më e gjerë se çdo çështje e veçantë. Ajo është një marrëdhënie me rrënjë të thella, interesa të përbashkëta dhe një destinacion të përbashkët evropian. Është gjithashtu mjaftueshëm e pjekur për të trajtuar me qetësi dhe përgjegjësi çështjet e mbetura pezull, pa lejuar që ato të lënë në hije interesat më të gjera strategjike dhe objektivat e përbashkëta që na bashkojnë.

4. Teksa largoheni nga Athina, cilat janë prioritetet tuaja të menjëhershme? Çfarë prisni nga Presidenca greke?

Ministri Hoxha:  Prioriteti ynë i menjëhershëm është i qartë dhe konkret: të mbyllim sa më shumë kapituj negociues të jetë e mundur përpara fundit të këtij viti dhe të hyjmë në vitin 2027 me një udhërrëfyes të besueshëm dhe qartësisht të përcaktuar për përmbylljen e negociatave.

Viti 2027 do të jetë viti më sfidues i të gjithë procesit. Ai do të kërkojë një përpjekje të jashtëzakonshme në drejtim të përafrimit ligjor, përgatitjes institucionale dhe kapaciteteve administrative. Mbi të gjitha, do të kërkojë përparim konkret dhe të qëndrueshëm në fushën e shtetit të së drejtës, që përbën shtyllën kurrizore të procesit të anëtarësimit. Kapitujt përkatës hapen të parët dhe mbyllen të fundit, duke përcaktuar në fund ritmin e të gjithë negociatave.

Nuk kemi iluzione për shkallën e detyrës që kemi përpara. E dimë se çfarë kërkohet, jemi të përgatitur të bëjmë punën e vështirë dhe nuk kërkojmë rrugë të shkurtra. Kërkojmë rezultate.

Do të kemi mundësi të tjera për të diskutuar në detaje prioritetet tona me kolegët grekë përpara Presidencës së tyre të BE-së. Por më lejoni të ndaj që tani tri pritshmëri.

Së pari, ritmi.Sot folëm për rëndësinë e ruajtjes së momentit të krijuar në mbështetje të zgjerimit. Kjo do të bëhet edhe më thelbësore gjatë gjysmës së dytë të vitit 2027. Çdo raund i mëparshëm i zgjerimit na ka mësuar një mësim të rëndësishëm: koha është thelbësore. Kur vendet kandidate përmbushin kriteret e përcaktuara, vendimet duhet të pasojnë pa vonesa të panevojshme. Progresi duhet të njihet, jo të shtyhet. Presidenca ka një rol veçanërisht të rëndësishëm në këtë drejtim: përcaktimin e axhendës, ruajtjen e ritmit dhe garantimin që momentumi politik të përkthehet në vendime konkrete.

Së dyti, drejtësia. Greqia ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të zgjerimit. Edhe pse anëtarësimi i saj në BE ndodhi dekada më parë, Greqia e njeh nga përvoja se çfarë kërkon anëtarësimi në BE, çfarë duhet për të arritur deri aty dhe çfarë përfitimesh sjell ai. Për këtë arsye, presim që procesi të mbetet i bazuar në meritë, në mënyrë të vendosur dhe të qëndrueshme. Reformat, rezultatet konkrete dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit duhet të mbeten i vetmi standard për matjen e progresit. Asgjë më shumë, asgjë më pak.

Së treti, lidershipi. Greqia ka mundësinë të dëshmojë se zgjerimi nuk është një barrë për Bashkimin Evropian, por një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe ndikimin e vetë Evropës në rajonin e saj të afërt. Në një kohë ndryshimesh të thella gjeopolitike, afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e një angazhimi të kahershëm evropian; ai ka të bëjë gjithashtu me forcimin e vetë Evropës.

Greqia e njeh Ballkanin Perëndimor më mirë se pothuajse çdo shtet tjetër anëtar i BE-së. Ajo i kupton sfidat e rajonit, por edhe potencialin e tij. Për këtë arsye, zëri i saj në mbështetje të së ardhmes sonë evropiane ka një peshë të veçantë: është zëri i një fqinji, i një partneri dhe i një shteti anëtar të BE-së që ka një interes të drejtpërdrejtë në suksesin e procesit të zgjerimit.

Ne llogarisim te Greqia që ta shfrytëzojë Presidencën e saj për të ndihmuar në shndërrimin e momentit të ri të krijuar në mbështetje të zgjerimit në vendime konkrete dhe rezultate të qëndrueshme.

5. Sa të rëndësishme janë pakica kombëtare greke dhe diaspora shqiptare për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë?

Ministri Hoxha: Ato nuk janë një çështje dytësore në marrëdhëniet tona. Ato janë pjesë e vetë themeleve të kësaj marrëdhënieje.

Pakica kombëtare greke në Shqipëri është pjesë integrale e shoqërisë sonë. Të drejtat e saj, gjuha, jeta fetare, identiteti kulturor dhe prona mbrohen nga Kushtetuta dhe legjislacioni ynë, në përputhje me standardet evropiane. Ne jemi të angazhuar jo vetëm për garantimin e këtyre të drejtave, por edhe për forcimin e tyre të vazhdueshëm. Sepse mbrojtja e të drejtave të pakicave nuk është një koncesion ndaj një vendi fqinj. Është një detyrim i një shteti demokratik evropian dhe një pasqyrim i shoqërisë që synojmë të jemi.

Nga ana tjetër, komuniteti shqiptar në Greqi është një nga historitë e mëdha dhe shpesh të patreguara të suksesit të Evropës moderne. Qindra mijëra shqiptarë mbërritën në Greqi gjatë disa prej viteve më të vështira të tranzicionit të vendit tonë. Ata punuan fort, krijuan familje dhe biznese dhe ndërtuan jetën e tyre. Fëmijët e tyre sot studiojnë, punojnë dhe kontribuojnë në shoqërinë greke, pjesë integrale e së cilës janë.

Dje pata mundësinë të takoja shumë prej tyre këtu në Athinë. Ata janë një urë e gjallë mes dy vendeve tona. Ata mbartin dy gjuhë, dy kultura dhe një ndjenjë përkatësie që lidh të dyja shoqëritë. Historitë e tyre janë gjithashtu histori integrimi, qëndrueshmërie dhe kontributi.

Kur njerëzit jetojnë, punojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre në të dyja anët e një kufiri, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk mund të përcaktohen kurrë nga distanca dhe as të mbeten për shumë kohë të ftohta. Ato marrin një dimension njerëzor që shkon shumë përtej diplomacisë.

Përgjegjësia jonë si qeveri është t’i përgjigjemi kësaj realiteti: t’ua lehtësojmë jetën njerëzve, të trajtojmë shqetësimet e tyre të përditshme, nga pensionet dhe dokumentacioni deri te arsimi dhe njohja e të drejtave, si dhe të sigurojmë që ura njerëzore që ata kanë ndërtuar përgjatë dekadave të shoqërohet nga një urë politike po aq e fortë mes dy vendeve tona.

Në fund të fundit, forca e marrëdhënieve tona duhet të matet jo vetëm nga marrëveshjet që nënshkruajmë apo deklaratat që bëjmë, por edhe nga mënyra se sa mirë u shërbejmë njerëzve që na lidhin.