Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gazetari: Shqipëria ka vendosur si objektiv mbylljen e negociatave teknike për në Bashkimin Evropian deri në fund të dhjetorit të vitit 2027, një objektiv ky i cili është pranuar edhe në udhërrëfyesin e vet Komisionit Evropian që e shikon këtë qëllim si ambicioz, por të arritshëm gjithsesi duke plotësuar kushtet që Shqipëria të vazhdojë reformat dhe të plotësojë standardet e kërkuara. Cilat janë pengesat? Ku ndodhemi konkretisht sot? A kemi kapacitetet njerëzore dhe financiare për të përmbushur në këtë kohë rekord të gjitha sugjerimet e kërkuara? I marrim përgjigje nga vetë ministri për Evropën dhe punët e jashtme, zoti Ferit Hoxha, që na bashkohet online në këtë moment nga Brukseli, ku ishte dje i pranishëm për forumin e zgjerimit. Faleminderit që pranuat ftesën, zoti Hoxha.

Ministri Hoxha: Faleminderit për mundësinë.

Gazetari: A mund të na shpjegoni sa më thjesht për gjithë ata që na ndjekin, ku konkretisht jemi sot në këtë proces?

Ministri Hoxha: Kushdo që është interesuar për të ditur realisht se ku ndodhemi në këtë proces madhor, do t’i thoja me dy fjalë që Shqipëria nuk është më në pritje, as në fillim të rrugës. Jemi në fazën vendimtare të negociatave, në pjesën përfundimtare të asaj që është pjesa teknike e procesit dhe me një frazë të përmbledhur, kujtdo atij ose asaj do t’i thoja që jemi aty ku ata e kanë dashur dhe e kanë ëndërruar ndër vite.

Pra, kemi hyrë në fazën më intensive të procesit, ku përparimi matet tashmë jo vetëm thjesht me deklarata që kemi bërë, kemi dëgjuar, janë të njohura, por absolutisht dhe vetëm me rezultatet, me reformat që bëjmë, me ligjet që zbatojmë, me institucionet që forcojmë dhe standardet që përmirësojmë që duhet të ndihen në jetën e përditshme të çdo qytetari. Është tashmë e njohur dhe e ditur, sepse ka qenë objektivi ynë, ka qenë plani ynë, ka qenë një ambicie që është shprehur që prej më shumë se sa dy vitesh, që ne duam, sepse mendojmë që i kemi mundësitë, mendojmë që i kemi aftësitë, mendojmë që kemi dijen e nevojshme dhe energjitë e nevojshme dhe vendimin dhe mobilizimin dhe disiplinën e brendshme për t’i mbyllur negociatat brenda vitit 2027.

Kjo ka qenë ambicia jonë. Pikërisht sepse në dy vitet e fundit kemi treguar që jemi të aftë t’i përgjigjemi kësaj ambicie, tashmë ky objektiv nuk është vetëm plani ynë që mbështetet nga Komisioni Evropian, por është një plan i përbashkët që për herë të parë është parashikuar, i përfshirë si dokument zyrtar, një dokument i Bashkimit Evropian që është raporti i publikuar me 4 nëntor. Pra, dhe aty thuhet në mënyrë të qartë që është absolutisht ambicioze, por është absolutisht e arritshme në qoftë se mbahet dhe ruhet ritmi i reformave.

Thjesht ta shtjelloj pak më shumë pyetjen tuaj, nëse më lejoni, sepse kam përshtypjen që qytetarëve, atij ose asaj, pavarësisht se në çfarë shkalle të nivelit të shoqërisë gjenden, i intereson më shumë çfarë do të ndryshojë për mua, pra çfarë do të thotë që ne jemi në këtë fazë, çfarë është bërë  dhe si pritet të ndryshojë jeta ime? Dhe unë kam dëshirë t’i them që natyrisht nuk ka një përgjigje standarde për të tërë, është ajo do ishte më e kollajtë dhe më përgjithësuese sepse varet nga profesioni, varet nga mosha, varet nga vendndodhja, varet nga gjeografia në Shqipëri. Por kam përshtypjen që ajo që u flet të tërëve është që anëtarësimi në BE do të thotë më shumë mundësi për studentët, për ata që janë të rinj që janë sot në bankat e shkollës apo do të jenë nesër në universitete për të punuar, për të investuar, për të bërë biznes, për më shumë investime, vende pune, për më shumë mbështëtje për ato fusha të rëndësishme, bujqësia, zhvillimi i rajoneve, për standarde më të mira për produkte, për mjedisin, për shëndetin, për institucione më të forta, për më shumë siguri juridike, për më shumë mbrojtje qytetare mes individit dhe shtetit. Dhe me një fjalë, të thoja, qoftë dhe për veten time si qytetar që të kemi të njëjtat mundësi, të njëjtat të drejta, të njëjtat standarde siç i kanë sot vendet evropiane.

Për mua Evropa nuk ka qenë dhe nuk është kur vetëm thjesht destinacioni, vetëm ajo ëndrra që dikur studentët e bën si leitmotivin e ndryshimit të Shqipërisë, por është projekti madhor, më kompleks, më kërkues si kemi pasur ndonjëherë për ta bërë Shqipërinë më të mirë, për ta bërë Shqipërinë në nivelin e asaj që është më e mira në hapësirën mbarëbotërore që është hapësira evropiane. Jam i bindur që jemi më pranë se kurrë dhe pikërisht sepse jemi kaq pranë nuk kemi luksin as ta ngadalësojmë e për më pak ta pengojmë.

Gazetari: Ministër i keni vënë vetes një objektiv ambicioz, të gjitha nivelet e larta të Brukselit duket se e shohin gotën gjysmë plot, ndërsa ne shqiptarët siç e përmendët edhe ju, duket se është një ëndërr e kahershme: të jemi të barabartë mes evropianëve dhe të kemi të njëjtat gjëra që shijojnë dhe aksesojnë ata por për momentin na mbeten në dispozicion disi më shumë se 13 muaj për të plotësuar dhe përmbyllur të gjithë grup-kapitujt. Përkohësisht kemi mbyllur katër. A ka një datë të afërt për konferencën e përbashkët të radhës?

Ministri Hoxha: Mendoj se suksesi që kemi arritur në një kohë rekord përbën një progres mbresëlënës. Këtë e theksoi dje edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj hapës në Forumin e Zgjerimit, ku iu referua vendeve kandidate.

Ky është një element shumë inkurajues, që tregon jo vetëm se jemi në rrugën e duhur, por edhe se kemi kapacitetet e duhura, dijen dhe vendosmërinë politike. Shpresoj të kemi gjithashtu mundësinë të arrijmë një dakordësi mbarëkombëtare në vend dhe mbarëshoqërore për ta çuar këtë proces në destinacion.

Kemi mbyllur katër kapituj, por presim të mbyllim edhe një numër të tjerë deri në fund të këtij viti. Ne nuk i kemi vendosur vetes asnjëherë një limit në numra, sepse ky proces nuk varet vetëm prej nesh.

Ajo që mund t’ju them është se kemi punuar paralelisht për të gjithë kapitujt, edhe për ata që nuk do të mbyllen këtë vit dhe që nuk janë parashikuar të shqyrtohen e të mbyllen në tryezën e Bashkimit Evropian gjatë vitit 2027.

Falë kësaj metodologjie pune, duke punuar paralelisht për të 33 kapitujt e hapur, synojmë të mbyllim një numër të konsiderueshëm të tyre brenda këtij viti, aq sa do të jetë e mundur. Natyrisht, sepse në këtë proces nuk jemi vetëm, natyrisht është vlerësimi i Komisionit Evropian dhe pastaj vendimi i vendeve anëtare.

Unë mendoj që duke parë ritmin dhe kohën që na ka mbetur, edhe pse nuk jemi ne që vendosim është Presidenca që vendos natyrisht në një dakordësi me Komisionin natyrisht duke u konsultuar dhe me ne shpresoj pa dhënë data sepse nuk varet prej nesh dhe nuk dua të flas para kohe, mendoj që nga mesi i dhjetorit ne do kemi Konferencën e Rradhës, që do mbyllim një sërë kapitujsh të rinj që do të jetë prapë një hap tjetër një gur kilometrik tashmë në realizimin e asaj që është udhërrëfuesi i përbashkët me Komisionin Evropian.

Gazetari: Pra, mbetet rreth një muaj nga sot. Megjithatë, ministër, pavarësisht të përgjithshmes, e cila duket mjaft pozitive dhe optimiste, le të zbresim pak në bazë. Cilat janë tre apo katër çështjet kryesore që Shqipëria duhet të adresojë domosdoshmërisht, sipas vizioni tuaj, për të arritur përmbylljen dhe afatet kohore?

Ministri Hoxha: Besoj se pajtohemi që vlerësimi është i padiskutueshëm dhe besimi është i padiskutueshëm. Shqipëria ndodhet në një pikë ku nuk ka qenë kurrë më parë.

Kurrë nuk kemi pasur këtë linjëzim të yjeve, qoftë sa i përket aftësisë dhe gatishmërisë së brendshme të vendit, qoftë në një punë të njëmendtë dhe të pandalshme dhe besim të konsoliduar nga Komisioni Evropian, i cili është në linjën e parë dhe që është partneri ynë kryesor me të cilin negociojmë. Po ashtu, kemi një besim të konfirmuar në mënyrë solide deri më tani nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Pra, ndodhemi në një situatë absolutisht tjetër. Por, nga ana tjetër, jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se Raporti i Progresit ka evidentuar qartë fushat ku duhet të punojmë më shumë. Ai përmban rekomandime specifike dhe të qarta, si dhe identifikon fusha ku nuk i kemi bërë ende detyrat në shkallën e duhur.

Kjo është gjithashtu pjesë e procesit. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Shqipëria nuk është ende 100% e përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, sepse, në të kundërt, do të ishte tashmë anëtare. Procesi i negociatave shërben pikërisht për të mbushur këto hendeqe që ekzistojnë akoma.

Plani ynë është ambicioz dhe koha është e shkurtër, por unë besoj fort dhe jam i bindur se dhjetori i vitit 2027 është një objektiv i arritshëm për përmbylljen e fazës teknike.

Duhet të jemi po aq të qartë se kjo do të kërkojë më shumë punë sesa në vitin 2026, më shumë sesa në vitin 2025 dhe ndoshta më shumë sesa në disa vite të marra së bashku. Do të kërkojë përpjekje, koordinim dhe disiplinë të brendshme, jo vetëm për shkak të numrit të madh të kapitujve, por edhe sepse, kërkesat ndaj nesh në sajë të besimit që na është dhënë do të jenë edhe më të larta.

Procesi është kompleks dhe ka shumë gjëra ku duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, në një shkallë bindëse. Megjithatë, do të përpiqem t’i përmbledh në tri çështje kryesore, ashtu siç i shoh unë në këtë moment.

E para është ritmi dhe cilësia e punës.

Nuk mjafton vetëm të ruajmë ritmin aktual. Duhet ta përshpejtojmë atë, sepse kriteret për mbylljen e çdo kapitulli janë përcaktuar që në momentin e hapjes së tij dhe ekipet tona kanë punuar paralelisht.

Tani duhet të vijojmë me përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian. Ky është një nga elementet thelbësore të procesit. Qëllimi është të kemi të njëjtat rregulla dhe të njëjtin kuadër ligjor si vendet e Bashkimit Evropian, duke i transpozuar këto dispozita në legjislacionin kombëtar shqiptar dhe duke e bërë atë plotësisht të pajtueshëm me Bashkimin Evropian.

Por ky është një proces që kërkon punë dhe pjesëmarrjen e shumë institucioneve. Kërkon përfshirjen e Parlamentit për të miratuar ligje sa më cilësore, por edhe aftësinë për të treguar se, pas miratimit, këto ligje po i zbatojmë. Sepse kjo është garancia se po bëhemi një vend i aftë për të funksionuar..

E dyta kërkon që rezultatet tona të jenë të pakthyeshme në ato që janë elementë thelbësore sidomos në shtetin e te drejtës.

Drejtësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, funksionimi i institucioneve demokratike dhe forcimi i administratës publike përcaktojnë ritmin e procesit.

Ne kemi treguar një herë aftësinë dhe seriozitetin tonë përmes përmbushjes së kritereve të ndërmjetme për çështjet themelore, pasi kemi kaluar një prag jashtëzakonisht i rëndësishëm. Siç e dini, pa kaluar këtë prag, nuk do të kishim pasur mundësi të fillonim mbylljen e kapitujve.

Pra, ne kemi dhënë besimin e parë se jemi në gjendje të prodhojmë rezultate të qëndrueshme. Tani duhet ta dëshmojmë këtë vazhdimisht, jo vetëm deri në mbylljen e kapitujve 23 dhe 24, që lidhen me drejtësinë, dhe politikat e tjera që lidhen me çështjet e brendshme, por edhe deri në anëtarësimin e plotë dhe më tej.

Shteti i së drejtës, i cili është shtylla kurrizore mbi të cilën mbështëtet dhe është ndërtuar Bashkimi Evropian, duhet të funksionojë në Shqipëri njësoj si në çdo vend tjetër evropian.

Ky është një nga transformimet më të mëdha që do të sjellë Shqipëria 2.0, një Shqipëri që e kemi dëshiruar, për të cilën është punuar dhe që nuk mund të ndërtohet brenda dy vitesh, por konfirmon për herë të parë se është plotësisht e aftë të ecë në këtë lartësi.

Dhe e treta është ndoshta pak më e ndërlikuar dhe që është e theksuar dhe në Raportin e Komisionit Evropian me besueshmërinë e shoqërisë sonë në tërësi ndaj procesit të zgjerimit dhe përmbylljes së tij.

Një element tjetër delikat është ai që lidhet me konsensusin politik gjithëpërfshirës dhe dialogun politik.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një projekt madhor kombëtar. Ai kërkon që të gjitha institucionet, mazhoranca, opozita dhe të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësitë e tyre.

Sa më shumë t’i afrohemi anëtarësimit, aq më lart ngrihet standardi dhe aq më shumë peshojnë besueshmëria dhe besimi në qeverisjen dhe reformat tona. Sepse nuk është vetëm qeveria e përfshirë në këtë proces. Ajo ka rolin kryesor, është në linjën e parë dhe është përgjegjëse për reformat që kryhen por procesi përfshin një kompleks shumë më të gjerë aktorësh dhe faktorësh, të cilët kanë mundësi të kontribuojnë.

Këtu përfshihet shoqëria civile, dhe i gjithë entuziazmi i shoqërisë sonë, i cili ndikon pozitivisht në faktin që Shqipëria është e përgatitur, në aspektin mendor dhe kombëtar, për të marrë përsipër këto përgjegjësi.

Pra, do të thoja se tri elementet kryesore janë: ritmi i negociatave, rezultatet në reforma dhe besueshmëria, e cila kërkon një dialog politik të hapur të njëmendtë dhe substantial në politikë.

Nëse i mbajmë të tria këto, atëherë viti 2027 nuk do të ngelet as një ambicie politike apo një datë në kalendar, por një objektiv realisht sepse nuk më intereson thjesht një datë e caktuar në kalendar, qoftë fundi i vitit 2027 apo jo. Rëndësi ka që duke shkuar tek ai, të zbatojmë me përgjegjshmëri reformat që na kërkohen, në mënyrë që besimi të na shoqërojë edhe në fazën e ardhshme politike, atë të ratifikimit të jetë edhe më i kollajtë.

Gazetari: Ministër, këtyre tri pikave që ju renditët, do t’u shtoja edhe ato që vetë Raporti i Progresit i Komisionit Evropian kanë evidentuar: luftën kundër korrupsionit, administratën publike dhe dialogun politik.

A mund të plotësohen të gjitha kushtet dhe të mbyllen grup-kapitujt pa i respektuar edhe këto tri çështje?

Ministri Hoxha: Shikoni, detyrimet tona janë të përcaktuara përmes piketave përmbyllëse. Ato janë të matshme dhe të vlerësueshme. Natyrisht, është në dorën tonë të ofrojmë besueshmërinë maksimale, në mënyrë që, pavarësisht se kush e bën vlerësimin, Komisioni Evropian të ruajë të njëjtin vlerësim pozitiv që kemi sot dhe të ketë besimin e nevojshëm për ecurinë e procesit.

Dialogu politik në Shqipëri ka qenë një nga problematikat e përmendura më së shumti dhe në mënyrë të vazhdueshme Raportin e Progresit për Shqipërinë.

Ne e dime situatën e dialogut politik, e dimë marrëdhëniet mes aktorëve të ndryshëm politikë dhe kemi parë debatet në Parlament.

Unë shpresoj që të gjithë, duke pasur parasysh se çfarë është në lojë, sa i rëndësishëm është ky moment dhe sa e shkurtër është koha që kemi në dispozicion, të tregojmë pjekurinë, maturinë dhe përgjegjësinë e gjithëkujt për të bërë pjesën e vet, në bashkëpunim me të tjerët, në mënyrë që të mos e humbasim këtë shans.

Shqipëria ka historinë e vet të mundësive të humbura dhe të kohës së shpërdoruar. Ndoshta ky është momenti më fatlum që kemi pasur ndonjëherë në dorë, si shoqëri, si individë, si grupe, si komb dhe si shtet, për ta materializuar këtë mundësi dhe për ta çuar Shqipërinë përtej atij muri që na është dukur gjithmonë i pakapërcyeshëm.

Prandaj, kam besim se të gjithë ata që kanë marrë një mandat nga qytetarët dhe që mbajnë përgjegjësi për përfaqësimin e tyre në Kuvend, jo thjesht përmes zhurmës, akuzave dhe kundërakuzave, por përmes një debati të mirëfilltë, një pune cilësore në komisionet parlamentare dhe hartimit të ligjeve cilësore.

Qëllimi duhet të jetë një rezultat që na çon të gjithëve së bashku drejt objektivit që dëshirojmë. Sepse nuk është një palë apo një grup i vetëm që angazhohet në këtë proces. Është e gjithë Shqipëria që përfiton ose humbet prej tij.

Nuk dua ta them dhe as të mendoj se, në çdo rast dhe në çdo moment, por aq më pak në këtë moment madhor, ne do të tregohemi të pamatur, të papjekur apo të papërgjegjshëm.

Për element që i dimë se ekzistojnë dhe që duhet të përmirësohen, duhet të bëjmë të paktën përpjekjen minimale për të dëshmuar, edhe në sytë e atyre që na vlerësojnë sot, pjekurinë, maturinë dhe aftësinë për t’u përqendruar te thelbi, dhe nuk ngatërrohemi nga çështje dytësore.

Gazetari: Tri kushtet që ju vendosët si detyrime që Shqipëria duhet të përmbushë ritmin, cilësinë dhe besueshmërinë. Dua t’ju pyes drejtpërdrejt: a i ka sot qeveria dhe Shqipëria kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të përmbyllur, me këtë ritëm, cilësi dhe besueshmëri përpara institucioneve evropiane, të gjitha detyrat që duhet të bëjnë ? Apo ndoshta nevojitet një riorganizim i administratës për më tepër efektivitet?

Ministri Hoxha: Së pari, ju falënderoj për pyetjen, e cila është shumë e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë. Do të përpiqem t’ju jap një përgjigje po aq të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë.

Kapacitetet tona janë rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe kjo është e padiskutueshme. Katër-pesë vitet e fundit kanë treguar se Shqipëria ka krijuar një komunitet gjithnjë e më të gjerë ekspertësh dhe një administratë që ka fituar përvojë të konsiderueshme gjatë procesit të negociatave.

Fakti që kemi arritur deri këtu, që kemi përmbyllur procesin e screening-ut, kemi hapur kapitujt, kemi përmbushur piketat e ndërmjetme dhe kemi hyrë në fazën përfundimtare të procesit teknik, atë të mbylljes së kapitujve, si dhe besimi që është krijuar, tregojnë se në Shqipëri ka kapacitete, aftësi dhe ekspertizë.

Por pyetja është: a janë ato të mjaftueshme?

Duhet të jem realist. Në fazën ku kemi hyrë, e cila është shumë më intensive dhe komplekse, nuk mjafton vetëm të negociojmë dhe të përafrojmë legjislacionin. Do të duhet edhe ta zbatojmë atë, të administrojmë sa më mirë politikisht të gjithë procesin dhe fondet evropiane dhe, në fund, të funksionojmë si administrata e një shteti anëtar.

Prandaj, mendoj se duhet jo vetëm të shtojmë kapacitetet tona, por edhe të kemi një qartësi më të madhe për mënyrën se si duhet të përshtatet administrata. Ne po e shqyrtojmë këtë çështje dhe po reflektojmë mbi të. Unë flas nga perspektiva e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërsa kolegët e mi mund t’ju japin më shumë detaje për fushat përkatëse.

Na nevojitet një përshtatje dhe forcim gradual i administratës, në përputhje me kërkesat që ka një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Nuk jemi më thjesht një vend që pret të anëtarësohet një ditë. Tashmë kemi një objektiv konkret.

Ne kemi ambicien që, pas tre vitesh, të ulemi në tavolinën e Bashkimit Evropian si anëtarë. Për tu ulur në tavolinë këtë do të na duhen njerëzit e duhur, aftësitë dhe ekspertiza e nevojshme, sepse do të mbrojmë jo vetëm interesat tona, por do të ndërveprojmë me 27 apo 28 vende, pavarësisht numrit, për të çuar përpara politikat evropiane. Do të kemi gjithashtu përgjegjësinë të ndajmë me partnerët tanë përgjegjësinë për mbrojtjen e interesave të përbashkëta evropiane, në ndërveprimin dhe përballjen me të tjerët.

Në këtë drejtim, do të veçoja tri prioritete.

Së pari, duhet të mbajmë dhe të motivojmë specialistët më të mirë, të cilët kanë treguar se zotërojnë aftësitë e nevojshme. Kjo kërkon t’u ofrojmë perspektivë profesionale dhe mundësi për avancim në detyrë mbi bazën e meritës.

Së dyti, duhet të investojmë në ekspertizë të specializuar, veçanërisht në fusha gjithnjë e më teknike, si bujqësia, fondet e kohezionit, konkurrenca, siguria ushqimore dhe mjedisi tregu i brendshëm. Këto janë disa nga fushat e rëndësishme të kapitujve të negociatave, ku deri më tani kemi pasur më shumë një këndvështrim nga jashtë dhe ku tashmë duhet të jemi në gjendje të veprojmë edhe nga brenda sistemit evropian.

Së treti, duhet të forcojmë koordinimin ndërmjet ministrive dhe agjencive, për zbatimin, monitorimin, raportimin dhe vlerësimin e rezultateve. Ky nuk është një proces i kufizuar vetëm te një ekip i caktuar, sado i madh të jetë ai dhe sado që ekipi negociator është zgjeruar. Ai duhet të përfshijë të gjitha shtresat e administratës publike.

Dua të shtoj edhe një gjë që është shumë e rëndësishme: nuk duhet t’i limitohemi kapacitetet vetëm në nivelin qendror. Kam përshtypjen se, kur flasim për kapacitetet, zakonisht kemi parasysh administratën publike, ministritë dhe agjencitë që varen prej tyre. Kjo është e vërtetë, pasi aty ndodhet motori kryesor i procesit, por nuk duhet të harrojmë në asnjë mënyrë pushtetin vendor.

Një pjesë e konsiderueshme e legjislacionit të Bashkimit Evropian lidhet direkt ose indirekt me pushtetin vendor. Prandaj, edhe në këtë nivel duhet të forcojmë kapacitetet.

Mendoj se, edhe pse nuk dua të bëj asnjë gjykim politik, kjo ka qenë një nga arsyet themelore të riorganizimit territorial: krijimi i bashkive më të mëdha, të cilat të kenë kapacitetet e nevojshme, sepse shumë shpejt do të vijë koha kur këto bashki jo vetëm që do të duhet të aplikojnë për fondet e kohezionit, por edhe të jenë në gjendje t’i menaxhojnë ato siç duhet, me përgjegjshmëri dhe ndershmëri.

Përmes fondeve të kohezionit do të vazhdojmë ta ndryshojmë Shqipërinë, veçanërisht në ato zona ku nevojat janë më të mëdha. Besoj se pajtohemi se Shqipëria ka nevoja të identifikuara, në hapësirat jashtë qendrave të mëdha urbane. Synimi është t’i bëjmë këto zona më të zhvilluara, me shërbime më të mira. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që edhe në nivel vendor të krijojmë kapacitetet tona.

Gazetari: E qartë. Do të ndalemi pak më vonë te përthithja e fondeve dhe aplikimi i projekteve. Fillimisht, dua të sqarojmë rolin e Ministrisë dhe të dikasterit që ju drejtoni. Sa varet ritmi i negociatave nga kjo ministri? A është përgjegjësia e shpërndarë edhe në ministritë e tjera, në Parlament dhe në institucionet e pavarura?

Ministri Hoxha: Më lejoni të them se procesi është shumë kompleks, shumë kërkues dhe dinamik, me disa plane dhe një numër të madh elementesh që zhvillohen njëkohësisht. Për këtë arsye, përfshin edhe shumë aktorë.

Për ta thjeshtësuar, do të thoja se pjesa teknike dhe përmbajtësore e reformës drejtohet nga Kryenegociatorja dhe ekipi i saj, në koordinim me të gjitha institucionet, ministritë e linjës dhe institucionet e tjera të përfshira në proces, secila me përgjegjësi dhe mandate të mirëpërcaktuara.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme drejton dhe koordinon dimensionin politik të procesit. Ajo mban dialogun me institucionet evropiane dhe vendet anëtare, me synimin për të siguruar mbështëtjen e tyre. Kjo kërkon informim të vazhdueshëm dhe të saktë mbi zhvillimet dhe ecurinë e procesit, si dhe për të siguruar mbështëtjen e partnerëve tanë në çdo hap.

Kjo është thelbi i punës së institucionit që unë drejtoj dhe i gjithë sistemit diplomatik që kemi në Bruksel dhe në vendet anëtare.

Megjithatë, këto dy komponentë mund të funksionojnë, mund ta përmbushin detyrën vetëm përmes një bashkëpunimi dhe koordinimi të ngushtë. Dhe ky është një fakt. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, të përditshëm, të vazhdueshëm dhe të pandërprerë me Kryenegociatoren dhe ekipin e saj, si dhe, kur është e nevojshme, përmes tyre edhe me negociatorët.

Ajo që ka rëndësi është që, në këtë proces, mesazhi që përcillet, pavarësisht se nga kush dhe ku përçohet, të jetë i qartë, i njëjtë dhe pjesë e një qasjeje të koordinuar.

Mjafton të imagjinojmë volumin e punës: kemi hapur 33 kapituj, 33 kantierë me dokumente të ndryshme dhe me qindra komunikime që bëhen çdo ditë apo çdo javë. Vëllimi i informacionit, kontakteve dhe shkëmbimeve është jashtëzakonisht i madh dhe imponon një kujdes të përditshëm, në mënyrë që të gjithë aktorët, së pari, të jenë të mirëinformuar dhe të kenë të njëjtin informacion, por mbi të gjitha të ecin në të njëjtin drejtim dhe të përcjellin të njëjtin mesazh.

Në Bruksel ka një zë dhe një qëndrim, që është zëri dhe qëndrimi i Shqipërisë, pavarësisht se kush e përçon. Dhe deri tani jam shumë i lumtur dhe krenar të them se ia kemi dalë. Pavarësisht se kush ka marrë pjesë në takime zëri i Shqipërisë ka qenë i njësuar.

Por edhe ministritë e linjës kanë një rol thelbësor, sepse pjesën dërrmuese të acquis të Bashkimit Evropian e zbatojnë pikërisht ato dhe agjencitë në varësi të tyre.

Kuvendi ka përgjegjësinë që një pjesë të madhe të procesit ta përkthejë në legjislacion të brendshëm, përmes transpozimit të legjislacionit të Bashkimit Evropian. Ndërsa institucionet e pavarura, veçanërisht ato të sistemit të drejtësisë, duhet të prodhojnë rezultate konkrete.

E kam theksuar edhe më parë: negociatat drejtohen nga një ekip, por anëtarësimin e fiton, e përfiton dhe e përfaqëson i gjithë shteti.

Ky është ushtrimi më kompleks, më kërkues dhe më dinamik me të cilin është përballur ndonjëherë Shqipëria dhe administrata shqiptare. Dhe kjo bëhet vetëm duke qenë të disiplinuar, të koordinuar dhe përkushtimit të të gjithëve.

Gazetari: Zoti ministër, të flasim pak për kostot. Sa i përket edhe fazës në të cilën ndodhemi, me diskutimin dhe miratimin e buxhetit për vitin 2027, ju keni deklaruar se buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është rritur me 3,9 miliardë lekë, ose 6%, siç e keni thenë edhe ju. Sa pjesë e këtij fondi do të shkojë për përmbylljen e negociatave?

Ministri Hoxha: Shikoni, edhe sikur të kishim makinat llogaritëse dhe kompjuterët më të mirë, do të ishte e vështirë t’ju jepja një shifër të saktë se sa shkon vetëm për negociatat apo kjo shifër është vetëm për negociatat.

Buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme ka pasur një rritje prej 6%. Natyrisht, kjo rritje do të shërbejë në tërësinë e saj edhe për procesin e integrimit dhe anëtarësimit evropian.

Ne kemi përcaktuar disa shifra, të cilat janë orientuese, pasi nuk janë as përfundimtare dhe as të vetmet që lidhen me këtë proces.

Në buxhetin për vitin e ardhshëm kemi përcaktuar 180 milionë lekë, të dedikuara posaçërisht për agjendën e Bashkimit Evropian. Këto fonde do të përdoren për vizita në vendet anëtare, takime dhe aktivitete të përbashkëta, si dhe për impenjimin e ambasadave tona në funksion të çështjeve që lidhen me Bashkimin Evropian.

Ky është një fond i dedikuar posaçërisht për këtë agjendë. Megjithatë, do të ishte e pasaktë të thoja se këto janë të vetmet financime që shërbejnë për integrimin evropian.

Për shembull, Ministria e Jashtme ka përcaktuar gjithashtu një rritje prej 161 milionë lekësh rritje për fondin që u dedikohet përfaqësive tona diplomatike. Kjo rritje do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve dhe shtimin e pranisë sonë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sepse kemi nevojë për më shumë njerëz, më shumë cilësi, më shumë aktivitet dhe më shumë produkte diplomatike në këto vende.

Natyrisht, kjo lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet tona dypalëshe me vendet anëtare, por ndikon edhe në cilësinë e marrëdhënieve dhe në shkallën e mbështëtje.

Pra, nëse do ta ndaja buxhetin sipas prioriteteve, pjesa më e madhe, në mënyrë të padiskutueshme, i dedikohet aktiviteteve dhe angazhimit tonë në hapësirën evropiane, si dhe volumit të punës që po bëjmë dhe kemi parashikuar të bëjmë gjatë vitit të ardhshëm, ekskluzivisht me vendet anëtare, në funksion të ruajtjes dhe forcimit të mbështëtjes së tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gazetari: A ka një përllogaritje të përafërt totale se sa i kushton Shqipërisë, në total, i gjithë procesi i anëtarësimit?

Ministri Hoxha: Jo, nuk mendoj se është bërë një përllogaritje totale. Natyrisht, ka kosto të caktuara. Por qytetari, të them të drejtën, nuk duhet t’i konsiderojë ato si kosto, sepse unë do të dëshiroja t’i quaja investime. Janë investime në një projekt dhe jo thjesht shpenzime që bëhen për arsye të ndryshme. Në fund të procesit të negociatave nuk ka një faturë të vetme që duhet paguar.

Megjithatë, çdo ministri çdo sektorët bëjnë përllogaritjet e tyre. Përafrimi i legjislacionit dhe hartimi i ligjeve të reja kërkojnë krijimin e strukturave, vendosjen e standardeve të reja dhe, natyrisht, përmirësimin e kapaciteteve dhe të angazhimeve institucionale. Këto angazhime kanë koston e tyre, qoftë në baza vjetore, qoftë në një perspektivë afatmesme.

Kjo vlen për bujqësinë, infrastrukturën, sigurinë ushqimore, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme, digjitalizimin, drejtësinë, administratën publike e të tjera. Lista është edhe më e gjatë. Të gjithë këta sektorë kanë vlerësimet e tyre për mjetet që u nevojiten dhe për kapacitetet që duhet të krijojnë: mekanizmat përkatës, ekspertizën e nevojshme, si dhe rritjen e kapaciteteve administrative dhe cilësore, për të cilat folëm më parë. Natyrisht, të gjitha këto kanë vlerën e tyre.

Ajo që mund të them është se procesi është i mirëkoordinuar. Përpara miratimit të buxhetit, të paktën ky ka qenë ushtrimi që kam bërë me Ministrinë e Financave dhe ekipin e saj: elementet kryesore të rishikimit të buxhetit, qoftë në sensin të rillogaritjes, qoftë të rritjes së fondeve, kanë qenë absolutisht të lidhura me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Dua të veçoj edhe një element tjetër: kjo vlerë, të cilën mund ta quajmë kosto, nuk mbulohet vetëm nga ne. Ajo është edhe në bashkëpunim siç ka qenë në vite dekada me Bashkimin Evropian dhe partnerët tanë.

Në këtë kontekst, duhet të përmendim Instrumentin për Reforma dhe Rritje, i njohur edhe si Plani i Rritjes. Për një periudhë trevjeçare, Shqipëria ka një portofol të përcaktuar prej 920 milionë eurosh. Ky financim bazohet në një plan dhe në një agjendë reformash jashtëzakonisht të detajuar. Disbursimi i fondeve lidhet me kohën dhe shkallën e realizimit të këtyre reformave të cilat janë shumë të detajuara.

Pas vlerësimit të reformave, Komisioni Evropian bën analizën përkatëse dhe përcakton nëse janë përmbushur apo jo angazhimet. Deri tani, Shqipëria është vendi i parë në rajon, ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, për numrin e reformave të realizuara dhe për shumën e fondeve të përfituara.

Besoj se ia kemi dalë jo vetëm të përfitojmë fondet e përcaktuara për vendin tonë, por, në përputhje me normat e Planit të Rritjes, mund të kemi edhe financime shtesë, në rast se fondet e pashpenzuara nga vendet e tjera përfshihen në një proces të ri rishpërndarjeje. Natyrisht, kjo do të ishte një bonus, e përcaktuar sipas rregullave.

Ajo që dua të theksoj është se kjo nuk duhet parë thjesht si një kosto, por si një investim në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Nuk mendoj se ekziston apo se kam parë ndonjëherë një shifër të përgjithshme që përmbledh të gjithë investimin e vendit në këtë proces.

Është interesante që ma kujtoni këtë çështje, sepse do të ishte me vlerë të kishim një ide më të qartë se sa po investojmë në këtë drejtim. Megjithatë, kam përshtypjen se nuk është e lehtë të përcaktosh se çfarë pjese e të gjitha këtyre shpenzimeve i përket vetëm integrimit evropian. Ne nuk kemi një faturë të veçantë për integrimin evropian, sepse reformat bëhen, para së gjithash, për Shqipërinë. Ato janë pjesë e programit të qeverisë dhe, sigurisht, kanë kostot e tyre. Reformat që ndërmarrim në vendin tonë përmirësojnë funksionimin e shtetit dhe njëkohësisht na afrojnë me objektivin që kemi: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gazetari: Zoti Ministër, nëse arrijmë me sukses brenda 2027, përmbylljen të fazës teknike sa kohë do të na kërkojë faza politike apo ratifikimi i traktatit të negociatave?

Ministri Hoxha: Tani, rëndësishme është t’i marrim gjërat një nga një e rëndësishme është që të mbajmë premtimin që kemi dhënë vetes, kalendarin që kemi imponuar vetes, impenjimin që kemi marrë si vend dhe si shoqëri që t’i mbyllim negociatat në vitin 2027. Nëse arrijmë aty, dhe unë jam i bindur që do t’ia dalim të gjithë bashkë, ne kemi shkuar në pikën e pakthyeshmërisë.

Asnjëherë në historinë e Bashkimit Evropian, në historinë e zgjerimeve të mëparshme, një vend që ka mbyllur negociatat nuk është bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Me mbylljen e fazës teknike, kemi arritur dy gjëra. E para, kemi treguar që i kemi aftësitë, njohuritë dhe angazhimin për të përmbushur çdo angazhim që kemi marrë në çdo moment kur jemi ulur në tavolinë me Bashkimin Evropian dhe kemi plotësuar çdo kërkesë për të cilën kemi rënë dakord bashkërisht. Kërkesat janë ato që formulohen nga vendet anëtare, të cilat pranohen nga Shqipëria dhe realizohen nga Shqipëria.

Por që të mbyllen kapitujt, pra që të përmbyllet procesi, kjo kërkon edhe dakordësinë e vendeve anëtare. Pra, në një formë ose në një tjetër, të gjitha vendet anëtare do të kenë rënë dakord që Shqipëria ka bërë çfarë duhet për të qenë vend anëtar i BE-së, i barabartë me të gjithë.

Ky proces, natyrisht, do të marrë vulën juridike. Po, do të marrë vulën juridike. Do të kërkojë ratifikimin nga të gjitha vendet anëtare. Ky është një proces i cili, sigurisht, si proces legjislativ, ka impakt politik të padiskutueshëm, do të marrë kohën e duhur dhe unë mendoj që brenda 18 deri në 24 muaj është pak a shumë koha që është marrë në rastet e tjera, ndonjëherë pak më shpejt, ndonjëherë pak më shumë, por pak a shumë ky është harku kohor.

Çka do të thotë që angazhimi ynë për të qenë vend anëtar brenda vitit 2030 është real. Është po aq realist sa angazhimi për mbylljen e negociatave në vitin 2027, po aq logjik, i vendosur në një kohë të mjaftueshme dhe gjatë së cilës ne, natyrisht, nuk do të pushojmë së punuari.

Ne nuk do të kemi më negociime me Bashkimin Evropian, sepse kapitujt janë mbyllur, por do të kemi negociime në shumë aspekte të tjera, sepse do të fillojmë të jemi më pranë Bashkimit Evropian. Do të fillojmë të kemi një ndërveprim shumë më të ngushtë edhe përmes integrimit gradual, i cili pritet të konkretizohet, por do të kemi absolutisht një qasje shumë aktive për të bërë të mundur, duke shkuar, duke folur në çdo kryeqytet, që procesi i ratifikimit të bëhet në kohën sa më optimale, në përputhje me rregullat e secilit vend.

Gazetari: Në këtë kuadër, po bëj një parantezë dhe ju pyes: Çfarë do të ndikojë marrëdhënia jonë me Greqinë fqinje? Sa ndërhyn delimitimi i kufijve detarë në këtë proces dhe a duhet të zgjidhet brenda vitit 2027 apo në pjesën tjetër?

Ministri Hoxha: Një element kryesor. E para, Greqia është vend anëtar, Greqia është vend fqinj, Greqia është vend mik, është partner strategjik dhe është vend anëtar i NATO-s. Pra, kemi një lidhje të shumëfishtë me atë vend dhe nuk po i hyj historisë. Nuk ka nevojë të përmend praninë e komunitetit shqiptar në Greqi, praninë e minoritetit grek në Shqipëri e të tjera.

Marrëdhënia që kemi ndërtuar me Greqinë ndër vite është një marrëdhënie tashmë e pjekur, e konsoliduar dhe objektivat janë të përbashkëta. Shqipëria nuk do të kishte hapur negociatat, nuk do të kishte arritur atë që ka arritur, nuk do të kishte mbërritur dhe nuk do të vazhdonte të mbyllte negociatat nëse nuk do të kishte edhe mbështëtjen e Greqisë. Kjo është e padiskutueshme.

Por, për të hapur negociatat dhe për të arritur të gjitha këto që kemi arritur, na është dashur dakordësia e secilit vend anëtar të BE-së, përfshirë Greqinë apo këdo tjetër. Kjo është baza më e rëndësishme, më solide.

E dyta, ju më keni dëgjuar dhe të tjerët keni dëgjuar Kryeministrin në çdo diskutim, keni dëgjuar edhe mua të them që ne jemi të gatshëm të punojmë, të dialogojmë, të diskutojmë, të ndërveprojmë me Greqinë për të gjitha çështjet, jo për t’i zgjidhur, por për t’i çuar në fazën përfundimtare, për të mos lënë asnjë gjë pezull, përfshirë atë që është një nga elementet kryesore që ka të bëjë me hapësirat e delimitimit.

Për këtë, po ashtu kemi qenë proaktivë. Përveç faktit që është tentuar dy herë dhe nuk është arritur, dhe kjo është një gjë që ndodh rëndom, sepse janë çështje komplekse, të ndjeshme, janë shumë teknike, ne kemi rënë dakord, të dy palët kanë rënë dakord që t’i adresojmë një pale të tretë, arbitrazhit ndërkombëtar, dhe për këtë kemi zgjedhur gjykatën më të lartë ndërkombëtare, që është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ – International Court of Justice). Pra, Gjykata Ndërkombëtare e Kombeve të Bashkuara, e cila ka praktika, ka bërë të njëjtin ushtrim, pra ka një ekspertizë, ka edhe një, si të thuash, libër eksperience në këtë fushë. Nuk ka pse të kemi asnjë dyshim që cilido qoftë vendimi i gjykatës, do të jetë vendimi që do të pranohet nga të dyja palët dhe kjo do të sanksionohet në dokumentet që do t’i referohen gjykatës.p

Unë mendoj që megjithatë kemi arritur, si me çdo vend tjetër, lartësinë e pjekurisë për të kuptuar interesat e përbashkëta dhe interesin e përbashkët në tërësi, që vjen nga një Shqipëri evropiane e zhvilluar, një Shqipëri që zhvillohet me të njëjtat norma, me të njëjtat parametra, që respekton të njëjtat vlera si dhe Greqia, qoftë kjo për Greqinë dhe për marrëdhëniet, qoftë edhe për interesin ekonomik, sepse do të shtohen shkëmbimet, do të shtohen mundësitë për investime, për prani të ndërsjellë.

Në këtë mes, Greqia ka një avantazh, sepse, duke qenë vend më i zhvilluar dhe i futur më përpara në Bashkimin Evropian, do të ketë një avantazh në një moment të caktuar. Kjo ka ndodhur gjithmonë, në njëfarë mënyre, pra për të rritur më shumë praninë në Shqipëri, për të investuar më shumë apo për të bërë më shumë tregti.

Pra, në njëfarë mënyre, interesi është i përbashkët dhe në momentin që ne jemi të bindur, të dyja palët janë të bindura që ka një interes që i çon vendet tona, shoqëritë tona dhe popujt tanë drejt një të ardhmeje të përbashkët të madhe, unë kam të gjithë besimin që ne do të gjejmë mënyrën, rrugën dhe gjuhën e duhur, siç kemi gjetur për shumë gjëra, edhe për procesin e integrimit të vendit në BE.

Të mos harrojmë, Greqia gjatë gjysmës së dytë të vitit 2027 ka presidencën e Bashkimit Evropian. Pra, Greqia, në këtë momentin më kulmor, më të rëndësishëm, gjatë të cilit ne planifikojmë, në bazë të udhërrëfyesit, të mbyllim jo pak, por 30 kapituj. Shifrat mund të ndryshojnë, por kjo është magnituda e të pritshmes. Greqia do të ketë një rol të veçantë, sepse, përveçse është vend anëtar, është edhe vendi që përcakton ritmin dhe agjendën e diskutimeve të Bashkimit Evropian në tërësi gjatë gjashtë muajve, por edhe për Shqipërinë në veçanti.

Kështu që unë jam shumë shpresëplotë.

Gazetari: Do dua patjetër t’ju bëj edhe pyetjen e radhës, se jemi fare në fund me kohën dhe nuk mund të shkojmë dot përtej.

Sa u takon interesave të përbashkëta, a ka një politikë të jashtme të koordinuar me Kosovën në këtë fazë apo të dyja vendet flasin me zëra të veçantë?

Ministri Hoxha: Shikoni, Kosova dhe Shqipëria janë vende sovrane. Kanë të drejtën e tyre, kanë institucionet e tyre, kanë lidershipin e tyre, kanë qasjen e tyre për të mbajtur pozicionet që mendojnë, për të cilat janë votuar ata që janë mandatuar dhe të cilat shkojnë në interes të vendit.

Por mes Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë marrëdhënie të veçantë, unike, do të thoja, jo vetëm në rajon, por edhe në një shkallë më të gjerë, politika e jashtme e Kosovës dhe Shqipërisë ka dallime të papërfillshme. Unë mendoj që ne kemi absolutisht të njëjtën qasje në politikën e jashtme. Kemi të njëjtën qasje euroatlantike. Ato që do Shqipëria, ato do edhe Kosova. Dhe nuk kam parë asnjë ndryshim, as simbolik, në ato që kërkon tani Kosova me ato që kërkon, po arrin dhe po bën Shqipëria.

Dhe në këtë mes kam përshtypjen që jemi shumë mirë për të treguar se me pjekuri, me qartësi, me reforma, me angazhime arrihen rezultate dhe kërkohet e drejta, siç e kemi kërkuar në këto 30 vite.

Ne jemi absolutisht të koordinuar në të gjitha nivelet. Domethënë, përtej legjendave urbane, përtej asaj fryme, përtej mendimeve të njërit apo tjetrit, Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë në mënyrë të qëndrueshme, të pandërprerë, të përhershme, qoftë në nivelin e grupeve, të ekipeve, por mbi të gjitha në bazë të institucioneve.

Ajo që është e rëndësishme në marrëdhëniet tona, në marrëdhëniet me Kosovën, është që ne kemi një bazë të padiskutueshme, të pakthyeshme, të patjetërsueshme, të vendosur jo vetëm përmes marrëveshjeve, por edhe përmes atij rrjeti komunikimi dhe ndërveprimi që kemi vendosur dhe i cili është absolutisht aktiv në çdo kohë.

Kështu që unë nuk shoh absolutisht asnjë lloj diference apo qasjeje. Natyrisht që nuk kemi të njëjtat probleme dhe prandaj Shqipëria është angazhuar për ta ndihmuar Kosovën në çdo drejtim, në çdo aspekt, në çdo formë, në çdo kohë.

Qoftë për aspektin ndërkombëtar të njohjeve, aq sa kemi mundësi të bëjmë, qoftë për të qenë zëdhënës i Kosovës aty ku Kosova nuk është e pranishme dhe për të përcjellë të njëjtin mesazh dhe të njëjtën frymë që Kosova e shpreh vetë kur është e pranishme: dëshirën për t’u anëtarësuar në NATO, dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dëshirën për të ruajtur sovranitetin e saj, duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat përballet ende për shkak të mosnjohjes nga disa vende në rajon, disa vende të tjera evropiane dhe në planin ndërkombëtar.

Por është e padiskutueshme që mes Shqipërisë dhe Kosovës ka dhe do të ketë një bashkëpunim të ngushtë, sepse kemi interesa të përbashkëta dhe synime të përbashkëta.