Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

20 nëntor 2026

Gazetari: Kam në studio Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, zotin Ferit Hoxha. Do të flasim për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria po ecën me hapa të shpejtë, për marrëdhëniet me fqinjët, politikën e jashtme dhe buxhetin e diplomacisë shqiptare. Zoti Hoxha, përshëndetje dhe faleminderit që e pranuat ftesën.

Ministri Ferit Hoxha: Faleminderit juve që më ftuat.

Gazetari: Zoti ministër, në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme ju deklaruat se buxheti i vitit 2027 është një investim në kapacitetin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në përgatitjen e saj për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian. Si i mbështet konkretisht ky buxhet përpjekjet e diplomacisë shqiptare në rrugën drejt BE-së?

Ministri Ferit Hoxha: Është absolutisht e saktë. Ky është buxheti më i madh ndonjëherë në historinë e diplomacisë shqiptare dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Është një buxhet i orientuar drejt një objektivi themelor: investimit për ta bërë Shqipërinë evropiane, për të avancuar drejt synimit tonë dhe për të qenë një partner i besueshëm në tryezën e ardhshme evropiane.

Në qendër të tij është mbështetja e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Rreth 180 milionë lekë janë parashikuar posaçërisht për veprimtaritë që lidhen me këtë proces. Preferoj termin “anëtarësim” në vend të “integrim”, sepse integrimi është një term më i zbutur.

Por mbështetja financiare për këtë proces është e vështirë të matet vetëm përmes kësaj shume, pasi një pjesë shumë më e madhe e buxhetit të përgjithshëm të ministrisë, si për funksionimin e aparatit qendror, ashtu edhe të përfaqësive diplomatike, do t’i shërbejë drejtpërdrejt ose tërthorazi këtij objektivi.

Gazetari: A do të ketë rritje të personelit, më shumë buxhet për ambasadat apo mbështetje më të madhe financiare për diplomatët?

Ministri Ferit Hoxha: Do të ketë disa elemente nga ato që përmendët. Së pari, do të forcojmë kapacitetet e misionit tonë në Bruksel. Për t’u bërë vend anëtar, Shqipëria do të ketë nevojë për një mision me rreth 60 deri në 80 punonjës, afërsisht sa përfaqësia më e vogël e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian sot.

Gazetari: Bëhet fjalë për personel me kohë të pjesshme?

Ministri Ferit Hoxha: Jo, për personel me kohë të plotë, me forma të ndryshme kontraktimi. Këta punonjës nuk do të vijnë vetëm nga Ministria e Jashtme apo nga shërbimi diplomatik, por nga të gjitha fushat e veprimtarisë që lidhen me funksionimin e Bashkimit Evropian.

Sot kemi rreth një të katërtën e këtij personeli. Gradualisht, gjatë viteve 2027, 2028 dhe 2029, deri në momentin kur Shqipëria të jetë gati për anëtarësim, angazhimi im dhe i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme është të kemi personelin e nevojshëm për të mbrojtur interesat e vendit në Bruksel.

Gjithashtu, do të forcojmë kapacitetet e përfaqësive tona në vendet anëtare të BE-së. Duam të kemi më shumë njerëz, më shumë energji, aftësi dhe besueshmëri në kryeqytetet evropiane. Ky është thelbi i procesit: të jemi të besueshëm në Tiranë, në Bruksel dhe në çdo kryeqytet të vendeve anëtare.

Dua të theksoj edhe një drejtim tjetër të rëndësishëm të veprimtarisë së Ministrisë dhe Shërbimit të Jashtëm: diplomacinë ekonomike. Në buxhetin e vitit 2027 kemi parashikuar rreth 300 milionë lekë për veprimtari në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për aktivitetet tradicionale, si mbledhjet e komisioneve të ndryshme për nxitjen e investimeve. Mbi të gjitha, dhe ky është drejtimi ku dua të orientoj punën e sistemit tonë diplomatik, synojmë të mbështesim eksportet shqiptare.

Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë, duke marrë praktikat më të mira, për të ndihmuar eksportet shqiptare të hyjnë dhe të konsolidohen në tregun evropian që sot, në mënyrë që nesër, si vend anëtar, të jemi sa më të përgatitur për të konkurruar në tregun më të madh në botë.

Gazetari: Por që të realizohet kjo, duhet edhe një diplomaci e mbështetur financiarisht. Ju vini nga një karrierë e gjatë diplomatike, përfshirë përfaqësimin në OKB dhe në BE. Shpesh flasim për nevojën që diplomatët shqiptarë të kenë kushte dhe mjete të krahasueshme me homologët e tyre. Për ta ilustruar, mund të kemi ambasadorë që edhe kostumin për përfaqësimin zyrtar duhet ta blejnë me shpenzimet e tyre. Natyrisht, po e përdor këtë si metaforë. A nuk duhet që diplomatët shqiptarë të kenë mbështetjen që meritojnë?

Ministri Ferit Hoxha: Kostumet dhe këpucët do të vazhdojmë t’i blejmë vetë! Por e kuptoj metaforën.

Shërbimi i Jashtëm sot ka një trajtim për të cilin nuk ka pse të ndihet inferior në krahasim me vendet e tjera. Natyrisht, ky trajtim nuk do të jetë asnjëherë plotësisht i mjaftueshëm dhe nuk është se kemi qenë gjithmonë të kënaqur. Megjithatë, duhet të jemi realistë: mbështetja që i është dhënë Shërbimit të Jashtëm sot nuk është e qortueshme.

Jam i sigurt se do të bëjmë më shumë dhe se do të nevojitet më shumë. Do të përpiqemi të planifikojmë dhe të argumentojmë nevojat, në mënyrë që, krahas rritjes ekonomike, një pjesë e të ardhurave shtesë të shkojë edhe për diplomatët. Synimi është të kemi një shërbim diplomatik të trajtuar në mënyrë dinjitoze, të mirëtrajnuar dhe me kushtet e nevojshme për të kryer sa më mirë detyrën.

Por këto janë procese graduale. Asnjë vend nuk i ka realizuar menjëherë. Nëse krahasojmë me vitin 2013, buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i Shërbimit të Jashtëm, përfshirë trajtimin e personelit jashtë vendit, është rritur me 85%. Pra, jemi pothuajse në dyfishimin e tij.

Këtu përfshihen pagat, shpërblimet dhe forma të tjera të drejtpërdrejta apo të tërthorta të vlerësimit. Do të synojmë një sistem vlerësimi sa më të lidhur me rezultatet, planet e punës dhe rëndësinë e veprimtarisë.

Përmes formave të ndryshme të shpërblimit, përfshirë pagesat shtesë dhe mekanizma të tjerë të njohur, do të përpiqemi të vlerësojmë ata që janë në vijën e parë, që punojnë më shumë dhe japin rezultate më të mira.

Gazetari: Në udhërrëfyesin për Shqipërinë parashikohet që deri në fund të këtij viti të mbyllen edhe gjashtë kapituj negociatash. Në çfarë faze ndodhemi aktualisht, kur kanë mbetur vetëm rreth gjashtë javë deri më 31 dhjetor?

Ministri Ferit Hoxha: Jemi në fazën që kemi planifikuar. Shqipëria, përmes ekipit negociator dhe kryenegociatores, ka dorëzuar në Bruksel pozicionet tona negociuese për pesë kapituj.

Do të shohim nëse mund të mbyllen pesë apo gjashtë kapituj, pasi të gjashtë janë të parashikuar në kalendarin tonë. Fillimisht duhet të kryhen vlerësimet, të zhvillohen mbledhjet në Grupin e Punës për Zgjerimin dhe Vendet që Negociojnë Anëtarësimin në BE (COELA), si dhe në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), dhe të zhvillohen konsultimet me vendet anëtare.

Shpresoj që pesë apo gjashtë kapituj, ose të paktën një numër i konsiderueshëm prej tyre, të mbyllen brenda këtij viti.

Natyrisht, kjo nuk varet vetëm prej nesh. Ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Tani i takon Komisionit Evropian të kryejë vlerësimin dhe të përgatisë projektin e pozicionit të përbashkët, i cili do të diskutohet në strukturat përkatëse të Këshillit. Më pas, vendet anëtare, së bashku me Presidencën e Këshillit të BE-së, do të marrin vendimin përfundimtar.

Ajo që është e padiskutueshme është se puna jonë nuk ndalet. Ne vijojmë të punojmë sipas kalendarit që kemi bërë publik dhe që e ndjekim në bashkëpunim me Komisionin Evropian.

Gazetari: Në udhërrëfyes, Komisioni Evropian rekomandon që Këshilli të nisë vitin e ardhshëm hartimin e traktatit të anëtarësimit të Shqipërisë. Duke qenë se ky proces kërkon vendimmarrjen e vendeve anëtare, mendoni se do të jetë lehtësisht i realizueshëm?

Ministri Ferit Hoxha: E njëjta gjë ndodhi me Malin e Zi këtë vit. Në momentin kur Mali i Zi kishte mbyllur rreth 12-13 kapituj, Këshilli vendosi krijimin e një grupi të posaçëm për hartimin e projekttraktatit të anëtarësimit.

Pres që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Shqipërinë. Pasi të kemi arritur një masë kritike në mbylljen e kapitujve, shpresoj që Këshilli të marrë vendimin për të nisur hartimin e traktatit. Kjo nuk është më thjesht dëshira jonë, por është përfshirë edhe në udhërrëfyesin e Komisionit Evropian.

Mendoni se me çfarë ritmi kemi ecur! Më 14 tetor 2024, Shqipëria nuk kishte asnjë kapitull të hapur. Në pranverën e ardhshme, Shqipëria pritet të fillojë procesin e hartimit të traktatit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Është një rrugëtim që do ta quaja fantastik, të mrekullueshëm dhe shpresëplotë. Kjo është baza mbi të cilën do të vijojmë.

Gazetari: Zoti ministër, cilat do të vlerësonit si rekomandimet më të ndjeshme të Raportit të Progresit 2026 të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe si do t’i adresojë vendi ynë në vijim?

Ministri Ferit Hoxha: Raporti i Progresit është një dokument i vetëm dhe duhet lexuar si i tillë, por ai përmban dy pjesë: historinë e progresit të arritur dhe rekomandimet për atë që duhet bërë më mirë, më shpejt dhe më shumë.

Janë fusha për të cilat jemi në dijeni. Disa rekomandime janë të përsëritura, disa janë theksuar më shumë dhe të tjera janë përditësuar. Nëse do t’i ndaja, do të veçoja tri fusha kryesore.

E para është reforma zgjedhore. Ky është një element shumë i rëndësishëm. Ka një komision të posaçëm parlamentar që po punon, por është thelbësore që të respektohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe që diskutimet të jenë të mirëfillta dhe përmbajtësore.

Shpresoj që brenda afatit të kemi një reformë zgjedhore të miratuar, e cila do t’i shërbejë Shqipërisë fillimisht në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe më pas në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029.

Zgjedhjet janë një nga elementet themelore të çdo sistemi demokratik dhe duhet të jenë një faktor që forcon të ardhmen tonë evropiane.

E dyta lidhet me forcimin e sistemit të drejtësisë, me mënyrën se si funksionon, me zbatimin e rregullave dhe mekanizmave të vendosur, por mbi të gjitha me ruajtjen dhe forcimin e pavarësisë së tij.

Rezultatet që arrin sistemi i drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë pjesë e matjes së përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësim. Ato janë gjithashtu garanci se Shqipëria është një vend që funksionon mbi bazën e institucioneve demokratike, të cilat japin rezultate.

E treta është një fushë shumë më e gjerë, që lidhet me klimën politike, debatin politik dhe funksionimin e institucioneve, përfshirë Parlamentin. Është e rëndësishme të kemi një debat sa më thelbësor dhe përmbajtësor, në shërbim të interesave të vendit.

Gazetari: Në politikën e jashtme duket se forcat politike shqiptare arrijnë të bashkohen më lehtë. A është kështu?

Ministri Ferit Hoxha: Në politikën e jashtme, mendoj se nuk kemi problem. Kam marrë pjesë vetë në Komisionin Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme, kam diskutuar me deputetët e pranishëm dhe kam parë debate realisht serioze e përmbajtësore.

Nëse shohim programet e partive politike, ato përputhen në disa drejtime themelore.

Së pari, objektivi madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndahet nga të gjitha palët. Po kështu, bashkëpunimi rajonal dhe ndërtimi i marrëdhënieve sa më të mira me vendet e rajonit, të Evropës dhe të botës nuk përbëjnë dallime thelbësore mes partive politike.

Mendoj se ky është një element i rëndësishëm i garancive që Shqipëria jep si vend i ardhshëm anëtar i Bashkimit Evropian. Ne tregojmë përgjegjshmëri dhe maturi politike, duke qenë të bashkuar në politikën e jashtme për mbrojtjen e interesave të vendit dhe interesave kombëtare.

Gazetari: Si mund të jetë shteti shqiptar më pranë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit? Ju keni folur për projektin e ambasadës virtuale. Si do të funksionojë dhe si pritet të ndikojë në marrëdhëniet me qytetarët përtej kufijve?

Ministri Ferit Hoxha: Politika e jashtme shqiptare ka dy dimensione themelore në shërbim të qytetarëve.

I pari është mbrojtja, nxitja dhe avancimi i interesave kombëtare, që janë interesat e çdo qytetari shqiptar, brenda dhe jashtë vendit.

I dyti është shërbimi publik që ofrojmë përmes shërbimeve konsullore.

Kemi bërë përparim të rëndësishëm në shërbimet konsullore, me synimin për të qenë më pranë qytetarëve, më të shpejtë, më profesionalë dhe më të përgjegjshëm ndaj nevojave të përditshme të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Kemi realizuar një përmirësim rrënjësor, por duam të shkojmë më tej përmes përdorimit më të mirë të teknologjisë. Dëshira dhe, në njëfarë mënyre, ëndrra ime është që të arrijmë të automatizojmë sa më shumë shërbime konsullore që nuk kërkojnë domosdoshmërisht praninë fizike të qytetarit.

Pra, të mund të ofrojmë shërbime konsullore 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, pavarësisht vendndodhjes së qytetarit.

Këtu hyn edhe koncepti i pranisë virtuale. Sot kemi 62 përfaqësi diplomatike dhe konsullore në botë. Nuk mund të jemi fizikisht të pranishëm kudo ku do të dëshironim. Jam i sigurt se në të ardhmen do ta zgjerojmë këtë rrjet, por ndërkohë, përpara se të krijohen kushtet dhe mundësitë për një shtrirje më të madhe, do të përpiqemi të ndërtojmë atë që e kam cilësuar si prani virtuale.

Prania virtuale nuk është thjesht një faqe interneti apo një lidhje elektronike. Ajo do të jetë një derë e hapur e një ambasade që nuk është vetëm fizike, por që ofron mundësi të shumta ndërveprimi.

Kjo përfshin shërbimet konsullore dhe, kur është e nevojshme dhe e arsyeshme, komunikimin me specialistë, drejtues apo nivele të tjera të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në çdo kohë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është shërbimi i vizave, i cili ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe zgjerimin e hartës turistike të Shqipërisë. Duam që ky shërbim, ashtu si shërbimet konsullore, të jetë sa më i shpejtë dhe sa më i sigurt.

Në ambasadën virtuale qytetarët nuk do të gjejnë vetëm informacion, por shërbime të ndërlidhura, ndihmës virtualë për vizat dhe shërbimet konsullore, si dhe një sistem që i përgjigjet kujtdo, në çdo kohë, qoftë qytetar shqiptar apo i huaj, sipas shërbimit që kërkon.

Gazetari: Zoti Hoxha, Samiti i NATO-s që ishte parashikuar të mbahej në Tiranë në vitin 2027 duket se nuk do të zhvillohet në atë vit. Këtë e ka përmendur edhe Kryeministri. Çfarë ka ndodhur? A lidhet kjo me Shqipërinë apo me zhvillimet brenda Aleancës? Dhe a mbetet Tirana vendi pritës i samitit të ardhshëm?

Ministri Ferit Hoxha: Këtu duhen dalluar dy çështje, sepse nganjëherë informacionet interpretohen në mënyra të ndryshme.

Njëra është nëse samiti do të mbahet në Tiranë dhe tjetra është se kur do të mbahet.

Çështja e parë e ka marrë përgjigjen dhe nuk duhet të jetë objekt diskutimi. Samiti i ardhshëm, kurdo që të zhvillohet, do të mbahet në Tiranë. Kjo është përcaktuar, është vendosur dhe është e padiskutueshme.

Çështja që mbetet e hapur është data e zhvillimit të tij. Kjo do të vendoset në dakordësi me Sekretariatin e NATO-s, Sekretarin e Përgjithshëm dhe vendet e tjera aleate, në momentin më të përshtatshëm, kur të ketë nevojë dhe përmbajtje të mjaftueshme për një samit.

Nëse vendet anëtare gjykojnë se viti 2027 është shumë afër samitit të Ankarasë dhe vendosin të mos zhvillojnë një samit tjetër atë vit, kjo është diçka që e kuptojmë plotësisht. Por, kurdo që të mbahet samiti i radhës, ai do të jetë në Tiranë.

Kjo nuk ka absolutisht asnjë lidhje me Shqipërinë, me kredencialet e saj apo me ndonjë çështje tjetër që lidhet me vendin tonë. Është një vendim që merret bashkërisht për t’i dhënë samitit përmbajtjen, rëndësinë dhe peshën e duhur në momentin kur zhvillohet.

Natyrisht, rrethanat mund të ndryshojnë dhe vendet anëtare mund të marrin një vendim tjetër. Nuk do të çuditesha nëse, në një moment të caktuar, zhvillimet do ta bënin të nevojshëm organizimin e samitit edhe në vitin 2027, megjithëse përgatitja e një aktiviteti të tillë kërkon të paktën një vit.

Ajo që ka rëndësi është se samiti i ardhshëm do të mbahet në Tiranë dhe ne jemi të lumtur ta mirëpresim.

Do të jetë një mundësi për të dëshmuar jo vetëm aftësinë tonë për të organizuar aktivitete të kësaj përmase, që kërkojnë një angazhim të jashtëzakonshëm, por edhe kredencialet e Shqipërisë si një vend tashmë i konsoliduar, që ka investuar, vazhdon të investojë dhe do të investojë në sigurinë e rajonit, të Evropës dhe të hapësirës euroatlantike.

Gazetari: Të ndalemi te marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Përtej deklaratave dhe reagimeve publike, si janë sot marrëdhëniet mes dy vendeve? Dikur dy qeveritë organizonin mbledhje të përbashkëta, udhëtonin me autobus dhe nënshkruanin marrëveshje. Nuk e di nëse të gjitha këto marrëveshje janë zbatuar. Po sot, në çfarë faze jemi?

Ministri Ferit Hoxha: Do të shkojmë përsëri me autobus, ose do të vijmë me autobus, pa diskutim!

Kemi zhvilluar tetë mbledhje mes dy qeverive. Natyrisht, gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur mbledhje të tilla, sepse situata në Kosovë është karakterizuar nga një proces zgjedhor dhe krijimi i institucioneve.

Gazetari: Po tani që situata është zgjidhur?

Ministri Ferit Hoxha: Ne po punojmë për të gjetur momentin e duhur për mbledhjen e radhës.

Gazetari: Pra, do të ketë një mbledhje të re të dy qeverive?

Ministri Ferit Hoxha: Nuk mund t’ju jap një datë, por do të ketë një mbledhje të radhës. Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të konsoliduara institucionalisht dhe zhvillohen në të gjitha nivelet, deri në nivelin më të lartë.

Kemi nënshkruar mbi 60 marrëveshje. Aktualisht po bëjmë një analizë të plotë të tyre, për të identifikuar ato që janë zbatuar, ato që janë në proces zbatimi dhe ato që mund të kenë mbetur prapa.

Duam të kemi një pasqyrë të qartë se ku ndodhemi, çfarë kemi realizuar dhe çfarë mbetet për t’u bërë brenda këtij viti apo gjatë vitit të ardhshëm.

Tashmë Kosova ka një qeveri me mandat të qartë katërvjeçar dhe nuk ka absolutisht asnjë arsye për të mos vijuar marrëdhënien tonë të ngushtë.

Kjo marrëdhënie nuk është ndërprerë asnjëherë gjatë këtyre dy viteve. Por nuk ka qenë e lehtë të planifikohej dhe organizohej një mbledhje mes qeverive, ndërkohë që Kosova ishte vazhdimisht në procese zgjedhore dhe të formimit të institucioneve të reja.

Tani kemi mundësi të planifikojmë më mirë dhe më qartë se çfarë duhet të bëjmë.

Gazetari: Ju keni folur më herët edhe për forcimin e angazhimit për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës. Si po vepron Ministria në këtë drejtim?

Ministri Ferit Hoxha: Ky është një angazhim i përhershëm i çdo ministri të Jashtëm të Shqipërisë. Kushdo që të jetë në atë detyrë do të ketë këtë përgjegjësi, sepse është një angazhim kushtetues i Shqipërisë për të mbrojtur, nxitur dhe, aty ku është e nevojshme, përfaqësuar interesat e shqiptarëve.

Ne respektojmë marrëdhëniet dypalëshe me të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë, por do të jemi gjithmonë kërkues për mbrojtjen e të drejtave të tyre, të identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë sonë.

Natyrisht, situata është ndoshta më e favorshme për komunitetet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët janë të përfshirë në jetën politike dhe në qeverisje. E njëjta gjë vlen edhe për Malin e Zi.

Shqetësimi im më i madh lidhet me situatën më të ndjeshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Jam angazhuar dhe ju e njihni këtë angazhim timin për të bërë maksimumin që shqiptarët e Preshevës ta ndiejnë Shqipërinë sa më pranë.

Hapja e një konsullate mbetet një projekt për të cilin do të vazhdoj të këmbëngul deri në fund, për ta realizuar në formën më të mirë të mundshme. Shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë nevojë ta kenë praninë diplomatike shqiptare sa më afër, jo vetëm në Beograd, por pranë vendbanimeve të tyre.

Pavarësisht formës që do të marrë kjo prani, ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pranë tyre.

Ndërkohë, po krijojmë një institucion të ri, që e kam quajtur Agjencia e Bashkëpunimit me Jashtë. Ky institucion është edhe një element i përgatitjes sonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Çdo vend anëtar i BE-së ka struktura që merren me ndihmën humanitare dhe bashkëpunimin për zhvillim me vendet e tjera.

Ne po e krijojmë këtë strukturë dhe, sapo të jetë funksionale, përparësi e parë e veprimtarisë së saj do të jenë komunitetet shqiptare jashtë vendit, veçanërisht shqiptarët në tri komunat e Luginës së Preshevës.

Gazetari: Nëse Shqipëria hap një konsullatë në Luginën e Preshevës, a do të zbatohet parimi i reciprocitetit? A do të përfitojë edhe Serbia nga kjo?

Ministri Ferit Hoxha: E kam thënë dhe e kam diskutuar shumë herë: në marrëdhëniet diplomatike reciprociteti është një parim themelor.

E kam ndjekur polemikën, por nuk kam dashur të angazhohem apo t’i përgjigjem çdo komenti.

Kemi pasur diskutime me administratën e mëparshme në Serbi, e cila tashmë nuk është më në detyrë. Do të shohim programin e politikës së jashtme të administratës së re, do të diskutojmë me të dhe do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjet më të mira.

Por dua të jem shumë i qartë: unë nuk përfaqësoj interesat e një vendi tjetër, aq më pak të Serbisë. Unë përfaqësoj interesat e shtetit shqiptar dhe do të shoh se si këto interesa, si dhe interesat e shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, mund të përfaqësohen, mbrohen dhe forcohen sa më mirë.

Gazetari: Të qëndrojmë te Serbia. Pas zgjedhjeve kemi një realitet të ri politik, por mbetet e paqartë nëse Beogradi do të ketë një qasje të ndryshme ndaj Evropës dhe Rusisë. Si e vlerësoni situatën aktuale dhe ndikimin e saj në rajon?

Ministri Ferit Hoxha: Kam mbajtur një qëndrim publik për zgjedhjet dhe për atë që mund ta quajmë administrata e re, e cila ende nuk është formësuar plotësisht. Deri tani është zgjedhur kryetari i Parlamentit.

Do të presim formimin e qeverisë, sepse ka rëndësi se kush do ta përbëjë atë dhe kush do të jetë përgjegjës për politikën e jashtme.

Do të vendosim kontaktet e para dhe do t’u ofrojmë të gjithë gatishmërinë që kemi pasur gjithmonë për të ndërtuar marrëdhënie sa më praktike, në interes të ndërsjellë.

Do të paraqesim qartë qëndrimet tona për Kosovën, marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën tonë të përbashkët evropiane.

Gazetari: Më lejoni t’ju ndërpres këtu. Lista studentore nuk ka shfaqur një qasje të ndryshme nga ajo e Vuçiçit për Kosovën. A do të ndikojë kjo në marrëdhëniet e reja mes Tiranës dhe Beogradit?

Ministri Ferit Hoxha: Deri tani, programi politik që ata kanë paraqitur gjatë fushatës zgjedhore nuk shfaq një qasje të ndryshme për Kosovën. Kjo është e vërtetë.

Por, siç kemi parë edhe në raste të tjera, kur një forcë opozitare vjen në pushtet, ajo shpesh adopton një qasje më realiste dhe më konkrete.

Do të shohim se cila do të jetë qasja e tyre. Nëse ajo vazhdon të jetë e njëjtë, do ta bëjmë shumë të qartë se për Kosovën kemi një mospajtim të plotë.

Do të mbrojmë interesat e Kosovës dhe do t’ua bëjmë të qartë se mbështetja për Kosovën është e padiskutueshme, pavarësisht se cila qeveri është në Tiranë. Kjo do të mbetet linja jonë e qëndrueshme.

Edhe nëse nuk biem dakord për Kosovën, do të përpiqemi të gjejmë hapësira bashkëpunimi pragmatik në fusha të tjera, duke artikuluar qartë interesat dhe qëndrimet tona.

Ka çështje të tjera me interes të ndërsjellë ku mund të bashkëpunojmë në mënyrë praktike. Natyrisht, do të vazhdojmë të mbrojmë edhe interesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Kjo kërkon një qasje diplomatike sa më praktike, pragmatike dhe konkrete.

Do të presim të shohim kush do të jetë në krye të diplomacisë serbe, cili do të jetë orientimi i saj ndaj Shqipërisë dhe rajonit, si dhe programi i saj evropian.

Gazetari: Po marrëdhëniet me Greqinë? Shpesh është dukur se mjafton një çështje, qoftë edhe e vogël, që marrëdhëniet të tensionohen. Si janë ato aktualisht dhe cilat janë çështjet më urgjente mes dy vendeve, përveç atyre të trashëguara?

Ministri Ferit Hoxha: Kam përshtypjen se ka kohë që nuk kemi parë tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë. Përkundrazi, kemi parë bashkëpunim, mbështetje, pjekuri dhe maturi në qëndrimet e të dyja palëve.

Mbi të gjitha, kemi parë një dakordësi themelore, dhe kjo ka shumë rëndësi për mua: Greqia ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Dua ta theksoj, edhe pse mund të jetë diçka e njohur: nëse Greqia nuk do të kishte dashur, asnjë kapitull negociatash nuk do të ishte hapur, asnjë nuk do të ishte mbyllur dhe asnjë nuk do të mbyllej.

Është edhe dakordësia e Greqisë, së bashku me 26 vendet e tjera anëtare, që ka bërë të mundur që Shqipëria të ecë përpara. Shpresoj që ky proces jo vetëm të vijojë, por edhe të përshpejtohet.

Nuk duhet të harrojmë se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, një vit që do të jetë ndër më të rëndësishmit në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian, Greqia do të mbajë Presidencën e Këshillit të BE-së.

Pikërisht gjatë vitit 2027 synojmë të mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave. Greqia, si vend që do të drejtojë Presidencën, do të ketë një rol të rëndësishëm në përcaktimin dhe zhvillimin e agjendës.

Gazetari: Një nga çështjet e pazgjidhura mbetet delimitimi i hapësirave detare. Prej vitesh ka një dakordësi për ta dërguar çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por duket sikur procesi ka mbetur në heshtje. Çfarë po ndodh dhe sa interes ka Shqipëria për ta përmbyllur këtë çështje?

Ministri Ferit Hoxha: Nuk është lënë në heshtje.

Gazetari: Atëherë, çfarë po ndodh konkretisht?

Ministri Ferit Hoxha: Po ndërmerren hapat e nevojshëm. Është rindërtuar ekipi negociator.

Gazetari: A po pritet dakordësia nga Presidenti i Republikës? Dikur thuhej se procesi vonohej nga Presidenti Meta.

Ministri Ferit Hoxha: Jo, askush nuk po e vonon procesin. Nuk e di kush mund ta ketë vonuar më parë, por sot nuk ka asnjë vonesë nga askush. Janë hapa që ndërmerren me shumë përgjegjshmëri.

Në ekipin negociator shqiptar marrin pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh, të cilët diskutojnë në hollësi çdo aspekt të këtij procesi, që, siç mund ta imagjinoni, është shumë kompleks.

Kemi tentuar dy herë ta zgjidhim këtë çështje përmes marrëveshjeve dhe diskutimeve dypalëshe, por nuk ka qenë e mundur. Nuk ka asgjë të pazakontë në këtë.

Edhe vende të tjera janë përpjekur të gjejnë zgjidhje përmes negociatave dhe, kur kjo nuk ka qenë e mundur, i janë drejtuar një autoriteti ndërkombëtar.

Në rastin tonë, Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që ky autoritet të jetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord edhe për mënyrën, hapat dhe qasjen që do të ndjekë secili vend.

Gazetari: A duhet të zgjidhet kjo çështje përpara përfundimit të negociatave me Bashkimin Evropian? A mund të ndikojë qëndrimi i Greqisë në këtë proces?

Ministri Ferit Hoxha: Nuk mund të flas në emër të Greqisë. Por Greqia ka treguar se është shumë e përgjegjshme dhe mbështetëse.

Nuk mendoj se zgjidhja e çështjes së delimitimit të hapësirave detare duhet të përfundojë përpara mbylljes së kapitujve të negociatave. Nuk besoj se as Greqia dhe as Shqipëria e presin këtë.

Çështja e delimitimit do të marrë kohën e saj. Edhe sikur sot t’i drejtoheshim Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me një kërkesë të përbashkët, procesi do të zgjaste të paktën disa vite.

Rëndësi ka që të kemi dakordësinë politike, e cila është e qartë, dhe një qasje të përbashkët praktike e juridike përpara Gjykatës.

Në momentin që Gjykata do ta marrë çështjen në shqyrtim, besoj se të dyja vendet do të mund të presin të qeta vendimin e saj, kurdo që ai të jepet.

Në këtë mënyrë, çështja nuk do të mbetet më një problem i pazgjidhur mes dy palëve, por një proces i vendosur në rrugën e zgjidhjes, sipas një mekanizmi të pranuar bashkërisht.

Gazetari: Po çështja e pensioneve, a vazhdon të negociohet?

Ministri Ferit Hoxha: Absolutisht. Kemi një qasje të përbashkët për të diskutuar të gjithë paketën e çështjeve, si ato që kanë rëndësi më të madhe për Greqinë, ashtu edhe ato që kanë rëndësi për Shqipërinë, por që, në një mënyrë apo tjetër, prekin të dyja vendet.

Të gjitha këto aspekte po diskutohen në grupe të posaçme pune. Nga ana jonë kemi treguar gatishmëri dhe kemi gjetur dakordësi për të ecur në mënyrë të harmonizuar drejt trajtimit dhe, shpresoj, zgjidhjes së përbashkët të këtyre çështjeve.

Gazetari: Zoti Hoxha, ju keni një karrierë të gjatë në diplomaci, përfshirë detyrat si ambasador në OKB dhe në Bashkimin Evropian. A jua lehtëson kjo përvojë punën si ministër? Çfarë ndryshimi ka mes dy roleve?

Ministri Ferit Hoxha: Asnjë diplomat nuk përgatitet për të qenë ministër dhe kjo vlen edhe për mua. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se do të bëhesha ministër.

I jam përgjigjur me shumë krenari dhe përulësi ftesës së Kryeministrit për të qenë në krye të diplomacisë shqiptare, në një nga momentet më të rëndësishme për vendin.

Gazetari: Si ndodhi konkretisht që Kryeministri ju propozoi të kalonit nga detyra e ambasadorit pranë Bashkimit Evropian në atë të Ministrit të Jashtëm?

Ministri Ferit Hoxha: Po udhëtonim nga aeroporti në Bruksel, kur Kryeministri më bëri një pyetje: “Çfarë përgjigjeje do t’i jepje pyetjes nëse unë, në cilësinë e Kryeministrit, do të të thoja se vendi ka nevojë për ty?”

Mendova për dy minuta dhe i thashë se diplomatët janë punonjës publikë. Por nuk e dija nëse do të isha i zoti ta bëja këtë detyrë. Nuk isha përgatitur për të, nuk e kisha menduar ndonjëherë dhe nuk e kisha pasur në planet e mia.

Më la një moment të mendoja dhe më pas më tha: “Ke pesë minuta.”

Natyrisht, isha shumë i lumtur, por po aq i shqetësuar nëse do të isha në gjendje ta përmbushja një përgjegjësi të tillë, sepse kalimi nga një rol në tjetrin nuk është i lehtë.

Edhe pse kam një karrierë prej 35 vitesh, gjithmonë jam marrë me çështje të caktuara, me një fushë dhe këndvështrim të përcaktuar.

Kur vjen në krye të diplomacisë, nuk ke më vetëm një këndvështrim. Duhet të shohësh gjithçka në 360 gradë.

Për më tepër, përgjegjësia është shumë më e madhe. Është një përgjegjësi politike, profesionale dhe institucionale.

Ka edhe një aspekt tjetër të veçantë. Mund të duket e lehtë të kthehesh dhe të drejtosh shtëpinë ku je rritur profesionalisht. Por më besoni, nuk është aspak aq e lehtë.

Gazetari: Gjithsesi, përvoja si diplomat karriere duhet t’jua lehtësojë disi punën, pavarësisht përgjegjësive më të mëdha.

Ministri Ferit Hoxha: Mendoj se është një avantazh, sepse besoj se e njoh Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Shërbimin e Jashtëm.

Kam punuar me shumë prej kolegëve dhe kjo sigurisht është një ndihmë e rëndësishme. Por nuk do të thotë se i ke automatikisht të gjithë elementët e nevojshëm për të qenë në lartësinë e detyrës dhe përgjegjësisë.

Duhet të jesh i angazhuar 24 orë në ditë, sepse diplomacia nuk pushon. Zhvillimet ndërkombëtare nuk ndalen dhe interesat e vendit nuk përfundojnë me mbylljen e orarit zyrtar.

Niveli i angazhimit duhet të jetë maksimal. Gjithçka që ndodh në botë, në një formë apo tjetër, mund të ketë ndikim edhe në Shqipëri, natyrisht jo në të njëjtën masë.

Për këtë arsye, duhet të mendojmë vazhdimisht dhe me shumë kujdes nëse duhet të reagojmë, si duhet të reagojmë, kur duhet të reagojmë dhe kur është më mirë të mos reagojmë.

Në diplomaci ka një të vërtetë të madhe: edhe kur flet, edhe kur nuk flet, ke mbajtur një qëndrim.

Gazetari: Zoti ministër, ju falënderoj shumë. Ishte kënaqësi.

⸻

Shënim: Intervista është redaktuar për efekte lexueshmërie, pa ndryshuar përmbajtjen, substancën apo kuptimin e deklarimeve.