Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Nju Jork – 18 Maj 2022 | Këshilli i Sigurimit u mblodh për të diskutuar aktivitetet e Forcës së Përbashkët të Grupit të Pesë për Sahelin (G5 Sahel). Këshilli u informua nga znj. Martha Ama Akyaa Pobee, Ndihmës Sekretare e Përgjithshme (ASG) për Afrikën në Departamentet e Çështjeve Politike, të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes, Z. Eric Tiaré, Sekretar Ekzekutiv i G5 Sahel, dhe znj. Solange Bandiaky-Badji, Koordinatore dhe Presidente e Iniciativës për të Drejtat dhe Burimet.

Znj. Pobee vuri në dukje se operacionalizimi i Forcës së Përbashkët po vononte për shkak të tranzicioneve të pasigurta politike në Mali dhe Burkina Faso. Ajo theksoi rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht me rritjen e terrorizmit në Sahel. Z. Tiaré kujtoi se G5 bazohet në mirëkuptimin e përbashkët se asnjë vend nuk mund të luftojë terrorizmin i vetëm. Ai e përshkroi tërheqjen e Malit si fatkeq, duke nënvizuar nevojën për të bashkuar burimet dhe vuri në dukje ndikimin e COVID-19, si dhe sanksionet.

Znj. Bandiaky-Badji, theksoi nevojën që të merret parasysh ndikimi i ndryshimeve klimatike kur analizohet dinamika e konfliktit në Sahel. Ajo theksoi se të gjitha përpjekjet për stabilizim politik duhet të marrin në konsideratë çështjet ndërthurëse që lidhen me degradimin e mjedisit, faktorët demografikë, ndryshimet në mjetet e jetesës dhe qeverisjen e dobët.

Gjatë diskutimit, disa anëtarë të Këshillit shprehën shqetësim serioz për largimin e Malit nga Forca e Përbashkët G5 Sahel dhe theksuan situatën e paqëndrueshme të sigurisë dhe humanitare në rajon.

Zëvendës Përfaqësuesja e Përhershme e RSH nw OKB, Znj. Albana Dautllari, shprehu keqardhjen për tërheqjen e Malit nga G5 Sahel dhe bëri thirrje për dialog midis shteteve anëtare. Ajo ngriti shqetësime për krizat humanitare dhe të sigurisë në rajonin e Sahelit, duke përfshirë tranzicionet jodemokratike. Znj. Dautllari shprehu shqetësimin për raportet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, përfshirë nga forcat e Grupit Wagner të pranishme në Mali, dhe bëri thirrje për përgjegjësi. Ajo përshëndeti planin për vlerësimin e përbashkët në Sahel nga OKB, AU, ECOWAS dhe u bëri thirrje anëtarëve të G5 të tregojnë vullnet politik dhe përkushtim për të adresuar sfidat e shumëanshme me të cilat përballet Sahel.