Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Themeluar në 1843, ICRC është në origjinën e Konventave të Gjenevës dhe Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë-hënës së Kuqe. ICRC drejton dhe bashkërendon veprimtaritë ndërkombëtare humanitare në konflikte të armatosura dhe gjendje të tjera dhune. Me nismën e ICRC-së Shtetet miratuan Konventën origjinale të Gjenevës të vitit 1864. Që atëherë, ICRC, me mbështetjen e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, ka kërkuar vazhdimisht nga qeveritë që të përshtatin ligjin ndërkombëtar humanitar në ndryshimin e rrethanave, në veçanti për zhvillimet moderne në mjetet dhe metodat e luftës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtje dhe ndihmë më efektive për viktimat e konfliktit. Puna e ICRC bazohet në katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949, Protokollet e tyre shtesë, Statutet dhe rezolutat e Konferencave Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

ICRC është një organizatë e pavarur, neutrale që siguron mbrojtje dhe ndihmë humanitare për viktimat e konflikteve të armatosura dhe situatave të tjera të dhunës. Organizata ndërmerr veprime në përgjigje të urgjencave dhe në të njëjtën kohë promovon respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe zbatimin e tij. ICRC gjithashtu përpiqet të parandalojë vuajtjet duke promovuar dhe forcuar ligjin humanitar dhe parimet universale humanitare. Mbi tre të katërtat e të gjitha Shteteve aktualisht janë palë në të dy Protokollet shtesë të Konventave të vitit 1977.

Kryqi i Kuq Shqiptar është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri. Ajo u krijua më 04 tetor 1921, dhe u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Që prej këtij viti është anëtar i Federatës (atëherë Lidhjes) të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë Shoqata e 38-të e themeluar deri atëherë. Në këtë mënyrë, Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, e cila sot ka 187 shoqata në të gjithë botën. Në zbatim të nenit 1 të ligjit nr. 7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të miratuar nga Parlamenti shqiptar më 29 shtator 1994, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që vepron në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes Humanitare Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949 – të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 – dhe Protokollet Shtesë të 10 qershorit 1977 – të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993. ICRC nëpërmjet Kryqit të Kuq shqiptar ishte një nga partnerët e ndihmës humanitare për popullsinë e prekur nga dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.