Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të Ministerialit të Korridorit VIII, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi edhe Forumin Ekonomik me temë “Ndërlidhja Strategjike dhe Rritja Ekonomike Rajonale: Potenciali Ekonomik i Korridorit VIII”, me synim avancimin dhe konkretizimin e dialogut mbi rëndësinë strategjike të këtij korridori për rajonin dhe Evropën.

Diskutimet theksuan Korridorin VIII si një instrument kyç për integrimin evropian, zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal, duke nënvizuar nevojën për ripozicionimin e tij në arkitekturën e rrjeteve transeuropiane të transportit (TEN-T) dhe kalimin nga një koncept politikisht i rëndësishëm në një prioritet të plotë evropian për planifikim, financim dhe zbatim. Në këtë kuadër, u evidentua roli i Shqipërisë si nyje kryesore lindje-perëndim dhe portë e Adriatikut, si dhe kontributi i korridorit në zhvillimin ekonomik kombëtar, rajonal dhe në forcimin e bashkëpunimit në kuadër të proceseve evropiane.

Forumi nxorri në pah,, gjithashtu, rëndësinë e infrastrukturës multimodale dhe logjistikës së qëndrueshme përgjatë Korridorit VIII për krijimin e vlerës ekonomike afatgjatë, rritjen e konkurrueshmërisë rajonale dhe mbështetjen e objektivave të tranzicionit të gjelbër të Bashkimit Evropian. Transporti dhe logjistika u trajtuan si platforma zhvillimi industrial, tregtar dhe territorial, duke lidhur rritjen ekonomike me qëndrueshmërinë klimatike dhe kohezionin territorial.

Një dimension i veçantë iu kushtua rëndësisë gjeopolitike dhe të sigurisë së Korridorit VIII, i konsideruar si një aset strategjik për Evropën Juglindore që kontribuon në forcimin e stabilitetit rajonal, reziliencës strategjike dhe lëvizshmërisë së sigurt të mallrave, energjisë dhe njerëzve. Diskutimet evidentuan nevojën për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe për koordinim të zgjeruar institucional dhe civil-ushtarak përballë rreziqeve të reja gjeopolitike.

Po ashtu, u theksua rëndësia e mobilizimit dhe koordinimit të instrumenteve evropiane dhe ndërkombëtare të financimit për përshpejtimin e zbatimit të projekteve prioritare përgjatë korridorit, duke synuar tejkalimin e hendekut midis angazhimeve strategjike politike dhe investimeve konkrete. Në këtë drejtim, u nënvizua objektivi për zhvillimin e Korridorit VIII si një korridor plotësisht funksional, të qëndrueshëm dhe multimodal, në përputhje me prioritetet e zgjerimit të BE-së, standardet TEN-T dhe objektivat e zhvillimit ekonomik rajonal.

Forumi Ekonomik rikonfirmoi angazhimin e përbashkët të aktorëve institucionalë dhe partnerëve ndërkombëtarë për të avancuar Korridorin VIII si një projekt strategjik ndërlidhjeje, që kontribuon në rritjen ekonomike, bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin afatgjatë në Evropën Juglindore.