Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Luksemburgu, zyrtarisht Dukati i Madh i Luksemburgut, është një vend pa dalje në det në Evropën Perëndimore. Kryeqyteti i tij, Qyteti i Luksemburgut, është një nga katër kryeqytetet zyrtare të Bashkimit Evropian (së bashku me Brukselin, Frankfurtin dhe Strasburgun) dhe selia e Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, autoriteti më i lartë gjyqësor në BE. Si një demokraci përfaqësuese me një monark kushtetues, drejtohet nga Duka i Madh Henri duke qene i vetmi dukat i madh sovran i mbetur në botë.

Luksemburgu në mënyrë konstante është vend mbështetës i Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kuadër, Shqipëria ka marrë mbështetje konkrete dhe inkurajim të vazhdueshëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Në të gjitha takimet e nivelit të lartë, autoritetet e Luksemburgut kanë vlerësuar përparimin e arritur nga Shqipëria dhe kanë konfirmuar mbështetjen e tyre në këtë drejtim.

Luksemburgu përkrah dhe mbështet të gjitha iniciativat për stabilitet, paqe dhe zhvillim në rajonin tonë.

Marrëdhëniet diplomatike dypalëshe janë të qëndrueshme dhe të konsoliduara. Ato kanë njohur vazhdimisht zhvillim, veçanërisht në kuadër të angazhimit të qeverisë së Luksemburgut ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dialogu politik është pjesë e agjendës së dy qeverive, për të cilin punojnë të dy palët. Shqipëria dhe Luksemburgu po ashtu bashkëpunojnë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, gjithashtu kanë ndërveprim si dy vende anëtare të NATO-s dhe shkëmbejnë mendime edhe për mjedisin e sigurisë në rajon.

Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë relativisht të vogla. Duke pasur një nivel të lartë të marrëdhënieve politike, qeveritë e të dy vendeve janë shprehur për rritjen e tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik me qëllim tërheqjen e investime nga Luksemburgut në tregun shqiptar.