Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Arabia Saudite ndodhet në Gadishullin Arabik, në Lindjen e Mesme. Ka një sipërfaqe prej 2.149.690 km², kryesisht shkretëtirë ranore si dhe një popullsi prej 28,146,656 banorësh. Rreth 90 % e popullsisë janë arabë, ndërsa 10 % janë me origjinë afro-aziatike. Tipi i regimit: Monarki.Besimi fetar: pothuajse tërësisht myslimanë suni.

Në territorin e Arabise Saudite saj ndodhen dy xhamitë më të shenjta të fese islame, të Mekës dhe Medinës. Titulli zyrtar i mbretit është “Mbajtësi/ruajtësi i dy xhamive të shenjta”.

Arabia Saudite u themelua në vitin 1932 nga mbreti Abdulaziz al-Saud, pas një fushate përpjekjesh 30-vjeçare për të bashkuar pjesën më të madhe të gadishullit arabik. Një prej pasardhësve të tij meshkuj sundon sot vendin, bazuar në ligjin themelor të vendit të vitit 1992. Mbreti aktual Salman bin Abd al-Aziz u ngjit në fron në janar të vitit 2015. Ai e kaloi për herë të parë linjën e suksesionit tek brezi i nipave të themeluesit të mbretërisë, duke caktuar si princ të kurorës, në fillim nipin e tij e më pas djalin e tij, Muhamed bin Salman.

Arabia Saudite është një vend anëtar themelues i Kombeve të Bashkuara, që e ka nënshkruar Kartën e OKB-së në vitin 1945. Arabia Saudite luan një rol të rëndësishëm në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në institucionet arabe dhe islame financiare, por edhe në fondet e zhvillimit e të ndihmës. Ajo është një nga donatorët më të mëdha të ndihmës në botë, duke kontribuar për një numër të madh të vendeve arabe, afrikane dhe aziatike. Në Arabinë Saudite ndodhet selia e Bankës Islamike për Zhvillim (IBD) si dhe selia e Sekretariatit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC).

Arabia Saudite mbetet një prodhues kryesor i naftës dhe gazit natyror dhe ka më shumë se 16% të rezervave botërore të naftës të provuara. Shqetësimet kryesore të saj mbeten: varësia e ekonomisë nga nafta dhe çmimet e saj.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite janë vendosur më 02 dhjetor 1992. Të dy vendet kanë hapur ambasadat respektive. Kemi një konsull nderi në Jeddah të Arabisë Saudite: Sheik Abdulaziz Muhamad Al Noëaiser.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet politike midis dy vendeve tona konsiderohen shumë të mira me shkëmbime vizitash të nivelit të lartë. Në shkurt 2019, Kryeministri Rama zhvillloi nje vizite zyrtare ne Arabine Saudite, ndersa në shtator 2021, Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud vizitoi Tiranën. Ne e vlerësojmë rolin e Arabisë Saudite në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal, pozicionin e saj të rëndësishëm në Gadishullin Arabik, si dhe potencialin e saj të fuqishëm investues dhe ekonomik.

Niveli i bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare midis vendit tonë dhe Arabisë Saudite ka potencial për më tepër zhvillim. Per kete qellim, në mars 2022 u mbajt në Riad Sesioni i Katërt i Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar Shqipëri-Arabia Saudite, gjate se cilit u vleresuan mundesite e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe u përcaktuan drejtimet kryesore sipas fushave përkatëse për të ardhmen.