Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Mbretëria e Belgjikës është një vend në Evropën Perëndimore. Aja ka një sipërfaqe prej 30,689 km2 (11,849 mi katrorë) dhe ka një popullsi prej më shumë se 11.5 milion. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Brukseli. Belgjika është një shtet sovran dhe një monarki kushtetuese federale me sistem parlamentar.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Belgjikës u vendosën në vitin 1924, ato vazhduan në periudhën e Mbretit Zog, për t’u ndërprerë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1945 kontaktet mes vendeve kanë qenë sporadike. Pas fillimit të viteve 90, marrëdhëniet mes dy vendeve patën një zhvillim të qëndrueshëm në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Marrëdhëniet dypalëshe politike mes Shqipërisë dhe Belgjikës cilësohen si shumë të mira. Belgjika ka mbështetur vazhdimisht dhe pa rezerva proceset demokratike dhe reformuese të vendit tonë, integrimin në strukturat evropiane dhe euroatlantike, pavarësinë e Kosovës, si dhe ndihma humanitare. Belgjika i ka ofruar mbështetje Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat në BE, duke dëshmuar kështu qartësisht dhe hapur se është në favor të perspektivës evropiane të rajonit të BP dhe sidomos vendit tonë.

Veç mbështetjes politike dypalëshe dhe në organizmat shumëpalëshe, bashkëpunimi i të dy vendeve synon fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe bashkëpunimin në çështje të migracionit dhe ato konsullore.

Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë ka ndikuar në nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe.

Objektivat e politikës së jashtme belge ndaj Ballkanit, të shprehura në të gjitha forumet shumëpalëshe, synojnë që BP të kthehet në një zonë paqeje, stabiliteti dhe demokracie, ndaj Belgjika ka qenë dhe mbetet pa hezitim në favor të vijimit të dialogut dhe shkëmbimeve mes vendeve të BP. Belgjika synon dialog dhe kontakte të rregullta të niveleve më të larta me të gjitha vendet e rajonit duke ofruar gjithashtu përvojën dhe frymën e BENELUKSIT për nismat rajonale në Ballkan.

Për të dyja palët, përparësi të veçantë ka nxitja dhe promovimi i bashkëpunimit ekonomik/tregtar dhe investimeve belge në Shqipëri e në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në vija të përgjithshme, cilësohet se niveli i realizuar i shkëmbimeve ekonomike e tregtare ka potenciale të pa shfrytëzuara ende.

Shqipëria dhe Belgjika nxisin shkëmbimet në fushën e kulturës dhe krijimin e lidhjeve ndërmjet artistëve në mënyrë reciproke, me synim intensifikimin e kontakteve për të njohur më mirë kulturën dhe traditat e njëri tjetrit.

Prania e një komuniteti të konsiderueshëm shqiptar në Belgjikë është tregues dhe faktor i rëndësishëm i marrëdhënieve mes dy vendeve. Autoritetet belge, në bashkëpunim me diasporën shqiptare, mbështesin përpjekjet e autoriteteve shqiptare për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave tona.