Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme


Republika Çeke, e njohur edhe me emrin shkurt Çekia, ndodhet në Evropën Qendrore, me një sipërfaqe prej 78,866 km2 dhe një popullsi prej 10.6 milionë banorë. Gjuha zyrtare është gjuha çeke. Republika Çeke është demokraci parlamentare.

Çekia ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Të dy vendet kanë shprehur vullnetin politik të zgjerojnë edhe më tej marrëdhëniet tradicionale, duke promovuar përdorimin më efikas, të hapësirave të pa eksploruara deri më tani, në fushën ekonomike dhe të marrëdhënieve tregtare, veçanërisht në sferën e energjisë, transportit hekurudhor, turizmit, kulturës, arsimit dhe shkencës.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur më 5 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato u rivendosën më 10 dhjetor 1945. Pas shpërbërjes së Republikës Federale Çekosllovake, në dhjetor 1992, Republika Çeke kërkoi njohjen e saj dhe vendosjes e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Më 1 janar 1993, Shqipëria njohu Republikën Çeke dhe më 4 janar 1993 deklaroi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të.

Nga të dy vendet vihet re se vitet e fundit marrëdhëniet kanë fituar një moment të ri me shkëmbim vizitash politike në nivelet më të larta.

Marrëdhëniet pozitive dypalëshe në nivel politik janë reflektuar gjithashtu në bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, që ka shënuar një tendencë pozitive. Të dyja palët kanë shprehur interesin e përbashkët që të intensifikojnë marrëdhëniet në këtë fushë.

Mekanizmi kryesor i bashkëpunimit ekonomik janë takimet e Grupit të Përbashkët të Punës Shqipëri dhe Republikës Çeke. Sesioni i 7-të i takimit të fundit u mbajt në Tiranë më 26 mars 2024.

Turistët çekë kanë shfaqur interes të shtuar për të vizituar vendin tonë, gjatë gjithë vitit. Që nga 31 tetori 2023, operojnë dy linja ajrore të drejtpërdrejta, Ryanair dhe Wizzair, 5 herë në javë, në itinerarin Pragë-Tiranë-Pragë. Në qershor 2024 pritet të fillojnë fluturimet e drejtpërdrejta edhe me linjën Smart Wings, duke mundësuar kështu fluturime të drejtpërdrejta për të gjitha ditët e javës.