Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Estonia, zyrtarisht Republika e Estonisë, është një nga Vendet Baltike në Evropën Veriore. Estonia ka një popullsi prej 1.3 milionë banorë dhe sipërfaqe totale prej 43,432 km². Kryeqyteti i Estonisë është Talin dhe gjuha zyrtare është gjuha estoneze.

Estonia është republikë parlamentare.

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Ka një vullnet të përbashkët për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin në terma më konkretë. Estonia ka qëndrim të vendosur për mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s, në “enhanced Forward Presence” (eFP) në Adazi, Letoni.

Marrëdhëniet diplomatike me Estoninë janë vendosur më 17 janar të vitit 1992 dhe vlerësohen si marrëdhënie shumë të mira. Shkëmbimi i vizitave të nivelit të lartë është shprehje e interesit të ndërjellë për shtimin e bashkëpunimit dypalësh. Estonia ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit evropian në BE.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo-rezidentë, përkatësisht marrëdhëniet me Estoninë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Estonisë në Athinë, Greqi.