Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Finlanda është e lokalizuar në Evropën Veriore dhe ka një sipërfaqe prej 338,440 km2. Ajo ndan kufij tokësorë me fqinjët e saj nordikë, Norvegjinë dhe Suedinë, dhe kufijtë e tre vendeve takohen të gjithë në Treriksröse (The Three-Country Cairn). Finlanda ka gjithashtu një kufi tokësor me Rusinë dhe kufij detarë me Estoninë dhe Alandin. Kryeqyteti i saj është Helsinki. Gjuhët zyrtare në Finlandë janë finlandishtja dhe suedishtja.

Finlanda është republikë parlamentare. Finlanda u bë pjesë e BE-së më 1 janar 1995. Më 29 qershor 2022, 30 vende të NATO-s i bënë një ftesë zyrtare Finlandës së bashku me Suedinë për t’u anëtarësuar në NATO. Të dy vendet morën statusin e anëtarëve aspirantë, ndërsa morën pjesë në samitin vjetor të NATO-s në Madrid si vende mysafire. Finlanda u bë anëtare e plotë e NATO-s më 4 prill 2023.

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Finlandës janë vendosur më 27 gusht 1956. Si Shqipëria ashtu edhe Finlanda nuk kanë përfaqësi diplomatike në kryeqytetet përkatëse. Shqipëria i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Finlandën nga Ambasada e saj në Stokholm, ndërsa Finlanda i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë nga Ambasada e saj në Athinë.

Gjatë dy dekadave të fundit Finlanda ka mbështetur vazhdimisht procesin integrues-anëtarësues të vendit tonë në Bashkimin Evropian, fillimisht për përfundimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, më pas për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në vijim për arritjen e objektivit të anëtarësimit.