Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Franca, zyrtarisht Republika Franceze, është një vend transkontinental që përfshin Evropën Perëndimore dhe rajone dhe territore të huaja në Amerikën e Jugut dhe në Oqeanin Atlantik, Paqësor dhe Indian.

Franca është një republikë unitare gjysmë-presidenciale me kryeqytet Parisin, qyteti më i madh i vendit dhe qendra kryesore kulturore dhe tregtare; zona të tjera kryesore urbane përfshijnë Lyon, Marsejë, Tuluzë, Bordeaux, Lille dhe Nice.

Franca ishte vendi i parë perëndimor që rivendosi misionin e saj diplomatik në Tiranë në vitin 1945. Ajo gjithashtu, mori pjesë në operacionin e suksesshëm ALBA të udhëhequr nga Italia në pranverën e vitit 1997. Franca dhe Shqipëria nënshkruan në vitin 1994 një traktat Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi.

Franca dhe qeveritë e saj kanë dëshmuar angazhim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm në ndihmën që i kanë ofruar proceseve demokratike në Shqipëri, veçanërisht proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane. Ndërkohë marrëdhëniet mes dy vendeve janë intensifikuar më tej me nënshkrimin e Deklaratës së Partneritetit Strategjik në mars 2017.

Franca ka qenë dhe vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit. Angazhimi dhe qëndrimet e saj ndikuan në favor të zgjidhjes së çështjeve të mëdha si pavarësia e Kosovës.

Vlerësohet nënshkrimi në shkurt 2021 dhe hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Agjencinë Franceze të Zhvillimit, e rëndësishme për projektet zhvillimore në Shqipëri.

Bashkëpunimi dypalësh ka njohur një dinamikë të re zhvillimi, me vizitat e nivelit të lartë, me nënshkrimin e marrëveshjeve në fushat ekonomike, por edhe ato kulturore apo të karakterit politik

Në datat 16-17 tetor 2023, Presidenti i Republikës Franceze, z. Emmanuel Macron, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Kjo vizitë u konsiderua historike, duke qenë e para e një kryetari shteti francez në Shqipëri në historinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Francës.

Në 12 prill 2024, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyratre në Republikën Franceze. Gjatë vizitës u nënshkrua Marrëveshja Ndërqeveritare (G2G) mes Shqipërisë dhe Francës. Në bazë të marrëveshjes, të dy vendet angazhohen për nisjen e veprimeve konkrete të bashkëpunimit, përmes identifikimit dhe zbatimit të projekteve prioritare strategjike në Shqipëri.