Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Horizontal tricolour flag bearing, from top to bottom, deep saffron, white, and green horizontal bands. In the centre of the white band is a navy-blue wheel with 24 spokes.

India shtrihet në Azinë Jugore dhe zë  pjesën më të madhe të saj. Me një sipërfaqe prej 3,287,263 km², India është vendi i 7-të më i madh në botë. Në vitin 2023 India u bë vendi me popullsinë më të madhe në botë. Ky vend konsiderohet si: demokracia më e madhe dhe fuqia e katërt ushtarake në botë, si dhe një ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në planet, që mbështetet fuqishëm te teknologjia dhe inovacioni.
India fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1947 dhe është Republikë Sovrane Socialiste, Laike dhe Demokratike. Kryeqyteti dhe zona më e madhe urbane e Indisë është Nju Delhi; qyteti i dytë më i madh është Mumbai. Gjuhët zyrtare, sipas Kushtetutës së Indisë, janë Hindi dhe Anglisht.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis të dy vendeve janë vendosur më 3 mars 1956. Në vitin 2008 u hap ambasada e Shqipërisë në Nju Delhi, e cila u mbyll në vitin 2014 për shkak të kufizimeve buxhetore asokohe.
Së fundi, të dyja vendet, në përputhje me dinamikën e re të marrëdhënieve dypalëshe, kanë shprehur vullnetin për të krijuar hapësira të reja për bashkëpunim nëpërmjet hapjes së misioneve rezidente diplomatike në kryeqytetet përkatëse.
Që nga gushti i vitit 2024, India ka hapur Ambasadën e saj në Tiranë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.
Aktualisht, Shqipëria është në proces të hapjes së Ambasadës së saj në Nju Delhi, si pjesë e strategjisë për zgjerimin e pranisë diplomatike në rajone me rëndësi strategjike dhe potencial të lartë për bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe politik. Në këtë kuadër, pritet që së shpejti të dërgohet I Ngarkuari me Punë për të vijuar me procedurat për hapjen zyrtare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Indisë.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë tradicionale dhe miqësore. Si dy vende që bashkohen nga të njëjtat vlera, roli i Laureates së Çmimit Nobel për Paqe, Nënë Tereza, mbetet pjesë integrale e memories së përbashkët kolektive dhe shërben si një urë lidhëse në miqësinë mes dy vendeve.
Në përputhje me kontekstin e ri historik, Shqipëria mbetet e përkushtuar për ta avancuar më tej këtë miqësi si dhe të zgjerojë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, në dobi të dy popujve tanë.
Në marrëdhëniet mes dy vendeve ekzistojnë potenciale të pashfrytëzuara në një sërë fushash si: ekonomike, tregtare, kulturore, arsimore si dhe turizmi.
Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë shënuar një rritje të vazhdueshme gjatë viteve të fundit.
Sa i përket bashkëpunimin shumëpalësh, në vitin 2022, të dy vendet ishin anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjë që ofroi mundësi të shtuara për bashkëpunim në dimensionin shumëpalësh për ruajtjen e paqes, forcimin e sigurisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.