Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shteti i Kuvajtit shtrihet në veri lindje të gadishullit Arabik dhe ka një sipërfaqe prej 17,818 km2. Popullsia është rreth 4,271,000 banorë, nga të cilët vetëm 31.3% janë vendas. Gjuha zyrtare është Arabishtja. Dita e Pavarësisë është më datë 25 shkurt 1963, ndërsa Dita e Çlirimit është më datë 26 shkurt 1991.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Kuvajtit u vendosën më 8 Gusht 1968, por ato janë intensifikuar në fillim të viteve ‘90 e në vazhdim. Të dy vendet përfaqësohen me ambasada rezidente. Ambasada e RSH-së në Kuvajt është hapur zyrtarisht në tetor 2010, ndërsa e Shtetit të Kuvajtit në Tiranë është hapur në shtator 2011.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve konsiderohen shumë të mira. Shqipëria mbështeti ndërhyrjen ushtarake të koalicionit të udhëhequr nga SHBA në fillim të vitit 1991 që solli çlirimin e Kuvajtit nga pushtimi irakian. Dialogu politiko-diplomatik mes dy vendeve zhvillohet në një frymë miqësore dhe ekziston një klimë pozitive dhe e favorshme për sa i përket mundësisë së investimit në Shqipëri. Ka pasur shkëmbime vizitash zyrtare mes dy vendeve ku, nga pala jone, mund të përmenden vizita e Kryeministrit Rama në nëntor 2014, e ish Kryetarit të Kuvendit Meta në qershor 2014.

Mes dy vendeve ekziston një kuadër ligjor i pasur, me marrëveshje dypalëshe në fushën e bashkëpunimit ekonomik, për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve, në fushën e shëndetësisë, transportit ajror, mbrojtjen e mjedisit, heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, etj.

Të dy vendet janë anëtare në një sërë organizatash ndërkombëtare, ku kanë një bashkëpunim të mirë ne nivel shumëpalësh.