Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Lituania, zyrtarisht Republika e Lituanisë, është një nga vendet Baltike në Evropë, me sipërfaqe prej 65,300 km2 dhe një popullsi prej 2.8 milionë banorë. Kryeqyteti dhe qyteti më i madh është Vilnius. Gjuha zyrtare është gjuha lituaneze.

Lituania është republikë gjysmë presidenciale. Kreu i shtetit është presidenti, i zgjedhur drejtpërdrejt për një mandat pesëvjeçar dhe që shërben maksimumi dy mandate.

Mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura. Ka vullnet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Lituania ka qëndrim të vendosur sa i takon mbështetjes së procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe në veçanti për hapjen e negociatave.

Shqipëria mbetet në solidaritet me shtetet e Baltikut, si një anëtare e NATO-s, me trupat e saj në batalionin shumëkombësh të NATO-s, në “enhanced Forward Presence” (eFP) në Adazi, Letoni.

Dialogu politik konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve bilaterale. Ka interes për intensifikimin e shkëmbimeve në nivele të ndryshme.

Nota Verbale e palës lituaneze për rënien dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Lituanisë dhe Shqipërisë mban datën 27 prill 1992 (si përgjigje e Notës tonë datë 12 shkurt 1992) dhe është përcjellë në Ambasadën shqiptare në Stokholm më 30 prill 1992. Ky shkëmbim Notash do të konsiderohej si marrëveshje midis dy vendeve për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Intensifikimi i dialogut politik dypalësh dhe shumëpalësh me Lituaninë mbetet i rëndësishëm. Lituania e ka mbështetur gjithmonë Shqipërinë në rrugën e saj të anëtarësimit në NATO dhe integrimit evropian në BE. Lituania ka mbështetur Kosovën dhe ka mbajtur qëndrim konstruktiv ndaj saj.

Mbulimi diplomatik është me ambasadorë jo rezidentë. Përkatësisht marrëdhëniet me Lituaninë mbulohen nga Ambasada Republikës së Shqipërisë në Varshavë, Poloni, ndërsa marrëdhëniet me Shqipërinë mbulohen nga Ambasada e Republikës së Lituanisë në Athinë, Greqi.