Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Kina zë një sipërfaqe prej 9,598,094 km², duke e bërë atë vendin e dytë më të madh aziatik dhe vendin e katërt më të madh në botë.

Kryeqyteti i Kinës është Pekini, qyteti më i madh i saj është Shangai. Gjuha zyrtare është mandarin.

Që nga viti 1949, Kina ka një sistem qeverisës komunist, i drejtuar nga Partia Komuniste e Kinës. Presidenti, është kreu më i lartë i Kinës, kreu i partisë dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë, ai gjithashtu përfaqëson Kinën në marrëdhëniet me jashtë.

Kina është një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB.

PËRMBLEDHJE

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës u vendosën më 23 nëntor 1949. Në maj 1954 u hapën përfaqësitë diplomatike përkatëse në Tiranë e Pekin.  Menjëherë pas pranimit të Shqipërisë në OKB, 1955, qeveria shqiptare u pozicionua kundër teorisë së “dy Kinëve” në OKB. Në vitin 1963, Shqipëria, propozoi dhe mbështeti në rrugë diplomatike ripranimin e Kinës në këtë organizatë. Më 25 tetor 1971, në sesionin e 26-të të Asamblesë së Përgjithshme, Republika Popullore e Kinës u pranua me të drejta të plota në OKB.

MARRËDHËNIET DYPALËSHE

Dy vendet gëzojnë marrëdhënie miqësore dhe tradicionale. Shqipëria njeh politikën e një Kine dhe respekton integritetin e saj territorial. Të dy vendet bashkëpunojnë në nivel qeveritar, parlamentar, akademik dhe kulturor, si dhe në kuadrin e forumeve shumëpalëshe për çështje ku kanë qëndrime dhe interesa të përbashkëta.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është rritur veçanërisht vitet e fundit. Megjithatë, ende nuk është në një nivel të kënaqshëm krahasuar me potencialin që ekziston. Kina është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Kuadri ligjor përfshin mbi 50 marrëveshje ekonomike midis dy vendeve. Shqipëria është pjesë e Iniciativës Kinë-Evropa Qendrore dhe Lindore.

Vizita e fundit e nivelit të lartë në Tiranë ishte ajo e Këshilltarit të Shtetit dhe Ministrit të Jashtëm të Kinës, Wang Yi, më 28 tetor 2021, e cila përkoi me 50-vjetorin e kthimit të Kinës në OKB.