Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme


Sllovakia, e njohur zyrtarisht si Republika Sllovake, shtrihet në Evropën Qendrore dhe ka një sipërfaqe prej 49,000 km2 e popullsi mbi 5.5 milionë. Qyteti më i madh është kryeqyteti Bratislava. Gjuha zyrtare është gjuha sllovake.

Sllovakia është një republikë demokratike parlamentare.

Shqipëria dhe Sllovakia kanë ndërtuar një dialog të mirë e të vazhdueshëm, veçanërisht vitet e fundit, përmes shkëmbimit të vizitave të ndërsjella në nivele të larta e shumë të larta. Vullneti i qeverisë shqiptare është për ta çuar më tej bashkëpunimin dhe po bëhen përpjekje që dialogu intensiv politik dhe fryma miqësore të reflektohen e materializohen më mirë në fusha me interes reciprok, si energji, turizëm, infrastrukturë, arsim, bujqësi dhe fushat e artit e kulturës.

Marrëdhëniet historike reflektojnë marrëdhënie të hershme përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara, për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur më 05 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosën më 10 dhjetor 1945.

Pas shpërbërjes së Republikës Federale Çekosllovake, në dhjetor 1992, Republika Sllovake kërkoi njohjen e saj dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Më 1 janar 1993, Shqipëria njohu Republikën Sllovake dhe më 4 janar 1993 deklaroi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të.

Me rënien e perdes së hekurt, marrëdhëniet midis dy vendeve patën një hov të ri në rendin tashmë të ndryshuar politik global, ku të dy vendet shihnin drejt demokratizimit dhe zhvillimit ekonomik me tregti të hapura dhe të lira, të reflektuar si në planin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh.

Sllovakia ka ofruar një mbështetje të vazhdueshme sa i takon proceseve integruese të Shqipërisë. Në të gjitha takimet e niveleve të larta pala shqiptare është siguruar për këtë mbështetje, që nuk është vetëm në planin politik, por duke ofruar konkretisht asistencë e ekspertizë edhe në drejtim të hapave që Shqipëria ka ndërmarrë vitet e fundit në ecurinë e saj evropiane.