Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Spanja shtrihet në Evropën Jugperëndimore. Spanja ka një sipërfaqe prej 505,957 km2,

Madridi është kryeqyteti i Spanjës. Sistemi politik është një monarki kushtetuese parlamentare. Spanja është pjesë e BE-së që nga 1 janari 1986.

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Spanjës janë vendosur në vitin 1914, kur Spanja njohu shtetin e Princ Vidit. Pasi u ndërprenë në vitin 1939, marrëdhëniet diplomatike u rivendosën më 12 shtator 1986. Shqipëria i mbulon marrëdhëniet diplomatike me Spanjën nga Ambasada e saj në Madrid, ndërsa Spanja e mbulon Shqipërinë nga Ambasada e saj në Tiranë.

Shqipëria dhe Spanja bashkëpunojnë jo vetëm në kuadër të OKB-së, BE-së dhe NATO-s, por edhe në iniciativa të tjera multilaterale.

Shqipëria dhe Spanja gëzojnë marrëdhënie të mira dypalëshe, në frymën e ndihmës dhe bashkëpunimit reciprok. Të dy vendet janë anëtare të NATO-s.

Spanja si vend anëtar e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Vlerësohet angazhimi i Spanjës gjatë Presidencës së BE-së në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 në mbajtjen e politikës së zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor në agjendën e diskutimeve.

Të dy vendet kanë një bashkëpunim shumë të mirë në kuadër të organizatave dhe nismave shumëpalëshe. Ndajnë vlera të përbashkëta dhe mbështesin reciprokisht njëra-tjetrën.

Në vitet e fundit ka një intensifikim të lartë të shkëmbimit të kontakteve të niveleve të larta mes të dy vendeve.