Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi në Bukuresht një bashkëbisedim me studentët e Kolegjit të Studimeve Evropiane Franko-Rumune, në një diskutim të hapur mbi Shqipërinë dhe rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, si dhe mbi të ardhmen e vetë Evropës.

Gjatë bashkëbisedimit, në fokus ishin sfidat me të cilat përballet Evropa në një botë gjithnjë e më të pasigurt, përhapja e dezinformimit, transformimet teknologjike dhe përgjegjësia e veçantë e të rinjve përballë këtyre zhvillimeve.

Ministri Hoxha ndau me studentët bindjen se Evropa e së ardhmes nuk do të jetë thjesht ajo që brezi i ri do të trashëgojë, por ajo që do të zgjedhë të ndërtojë vetë, duke përmbyllur ribashkimin e kontinentit dhe duke i dhënë kuptim të plotë shtëpisë sonë të përbashkët evropiane.

Ministri vlerësoi interesin, pyetjet dhe cilësinë e diskutimit me studentët, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të brezit të ri në formësimin e së ardhmes së Evropës.

Takimi shërbeu si një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe rolin që të rinjtë mund të luajnë në ndërtimin e një Evrope më të bashkuar, më të qëndrueshme dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.