Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë vizitës së tij në Spanjë, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi edhe një takim me studentët e Universitetit Carlos III, në Madrid, ku u angazhua në një shkëmbim të hapur dhe frymëzues mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe të Europës.

Gjatë bashkëbisedimit, Ministri Hoxha vlerësoi kureshtjen, mendimin kritik dhe angazhimin e të rinjve, duke theksuar rolin e tyre thelbësor në formësimin e së ardhmes së kontinentit. Ai nënvizoi se dialogu me të rinjtë është jo vetëm pasurues, por edhe i domosdoshëm për të ndërtuar politika më gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt së ardhmes.

Në përgjigje të pyetjeve të studentëve, Ministri prezantoi progresin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, duke theksuar rëndësinë e reformave, qeverisjes së mirë dhe forcimit të shtetit të së drejtës si procese kyçe transformuese për afrimin e vendit me BE-në.

Interesi i veçantë i studentëve për zgjerimin e BE-së u vlerësua nga Ministri si një tregues i rëndësisë strategjike që ky proces mbart, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Ai theksoi se çështjet europiane janë tashmë në qendër të jetës politike dhe përpjekjeve modernizuese të vendit, duke e ankoruar qartësisht të ardhmen e Shqipërisë brenda familjes europiane.

Ministri Hoxha theksoi gjithashtu se, në një kontekst ndërkombëtar gjithnjë e më sfidues, është thelbësore që BE-ja të vazhdojë të dëshmojë unitet, kohezion dhe vizion.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për dialog me të rinjtë dhe komunitetin akademik ndërkombëtar.

I plote link i postimit në platfomën X