Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Gjatë vizitës në Rumani, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me Presidentin e Senatit të Rumanisë, Mircea Abrudean.

Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit rikonfirmuan miqësinë e hershme dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Rumanisë, si dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Ministri Hoxha dhe Presidenti Abrudean vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe diplomacisë parlamentare në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe institucioneve të tyre.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbështetjes së vazhdueshme të Rumanisë dhe përvojës së saj në këtë proces. Gjithashtu, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Ministri Hoxha falënderoi Presidentin e Senatit, Mircea Abrudean, për mikpritjen dhe bisedën përmbajtësore.