Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, ku u prit fillimisht nga homologu i tij kroat Gordan Grlić Radman.

Në një postim në X, Ministri Hoxha e cilësoi këtë forum një platformë të rëndësishme për dialog mbi të ardhmen e Evropës, si dhe për sigurinë rajonale dhe sfidat globale.

“Ky edicion i 19-të i Forumit është i përqendruar në temën: _Epoka e Multipolaritetit: Shumë Drejtime, Një e Ardhme_. Megjithatë, për Shqipërinë ka vetëm një drejtim që të çon drejt të ardhmes sonë: anëtarësimi në BE”, shkroi Hoxha.

Ndërsa përparojmë në këtë rrugë, tha Ministri i Jashtëm, ne mbetemi të përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët tanë për të ndërtuar një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë.