Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, iu drejtua takimit të 14-të të Drejtorëve Politikë të Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar në Shqipëri. Në fjalën e tij, Ministri u ndal te sfidat e përbashkëta të sigurisë, rëndësia strategjike e zgjerimit të BE-së dhe roli i bashkëpunimit rajonal në integrimin evropian.

Ministri Hoxha theksoi se ndryshimet gjeopolitike, paqëndrueshmëria dhe konkurrenca strategjike kërkojnë forcimin e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, krahas avancimit me vendosmëri të një procesi zgjerimi të bazuar në meritë. Ai e cilësoi zgjerimin si një investim strategjik, si për vendet kandidate, ashtu edhe për shtetet anëtare të BE-së.

“Siguria e Evropës dhe e Ballkanit Perëndimor është një dhe e pandashme”, u shpreh Ministri Hoxha, duke nënvizuar se bashkëpunimi në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes shkon përtej përmbushjes së kërkesave formale. Ai theksoi se Shqipëria është një kontribuuese aktive në sigurinë evropiane dhe se sfidat e përbashkëta kërkojnë veprim të përbashkët.

Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria mbetet në solidaritet të plotë me Ukrainën përballë agresionit të pajustifikuar rus. Ministri Hoxha ritheksoi se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë dhe shprehu mbështetjen për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, si dhe për llogaridhënie për krimet e kryera dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

Në përfundim, Ministri Hoxha theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të mbetet një forcë shtytëse e integrimit evropian. Ai bëri thirrje për përpjekje konkrete për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtisë, lidhjeve infrastrukturore dhe sigurisë së përbashkët, në shërbim të një Evrope më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar.