Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti ambasadoren e Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, Sh.S. Louise Elisabeth Rigtrup Holmsgaard.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha vlerësoi vendimin e Danimarkës për rihapjen e Ambasadës së saj në Tiranë, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të besimit ndaj Shqipërisë dhe të angazhimit për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve.

Biseda u përqendrua në thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve, me vëmendje të veçantë te energjia e rinovueshme, inovacioni digjital dhe turizmi i qëndrueshëm. Ministri Hoxha theksoi potencialin për bashkëpunim konkret dhe me përfitim të ndërsjellë në këto fusha, ku ekspertiza daneze përputhet me ambiciet e Shqipërisë.

Ministri Hoxha shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe një procesi zgjerimi të besueshëm, të bazuar në meritë.

Në cilësinë e aleatëve në NATO, të dy vendet ndajnë gjithashtu interesin për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në hapësirën më të gjerë euroatlantike.

Në përfundim, Ministri Hoxha i uroi mirëseardhjen ambasadores Holmsgaard, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe për ta shndërruar praninë e ripërtërirë diplomatike të Danimarkës në Tiranë në një partneritet edhe më të fortë mes dy vendeve.