Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

25 mars 2026

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në një takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha rikonfirmoi se Kosova mbetet një përparësi e padiskutueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë, duke theksuar vijimësinë e këtij qëndrimi edhe në komunikimet e mëparshme me autoritetet kosovare, përfshirë Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.

Bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe riafirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e partneritetit të ngushtë dhe të veçantë ndërmjet dy vendeve. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, përmes forcimit të koordinimit institucional, rritjes së shkëmbimeve ekonomike, si dhe avancimit të projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike, veçanërisht në sektorët e sigurisë, energjisë, infrastrukturës dhe arsimit.

Ministri Hoxha nënvizoi, gjithashtu, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe për përparimin e saj në proceset e integrimit euroatlantik.

Postimi i plotë i Ministrit Hoxha ne X:

Link: https://x.com/hoxhafer/status/2036709956980764799?s=46