Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti Ambasadorin e ri të Brazilit në Shqipëri, Fabio Vaz Pitaluga, me të cilin diskutoi mbi mundësitë për t’i dhënë një impuls të ri partneritetit mes dy vendeve.

Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të dialogut institucional dhe intensifikimit të shkëmbimeve në të gjitha nivelet, me synim zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, si tregtia dhe investimet, turizmi, mbrojtja dhe teknologjia e informacionit.

Ministri Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e nxitjes së lidhjeve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, duke vlerësuar potencialin ende të pashfrytëzuar të marrëdhënieve Shqipëri–Brazil dhe mundësitë për ta kthyer atë në bashkëpunime dhe përfitime konkrete.

Në përfundim, Ministri Hoxha i uroi Ambasadorit Pitaluga suksese në misionin e tij diplomatik, duke rikonfirmuar gatishmërinë e Shqipërisë për të punuar ngushtësisht me të, në funksion të thellimit të mëtejshëm të miqësisë dhe marrëdhënieve tradicionale mes dy vendeve dhe popujve.