Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, në takimin e tyre të parë.

Ministri Hoxha vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se SHBA mbetet një nga partnerët strategjikë më të afërt dhe më të çmuar të Shqipërisë.

Marrëdhënia mes dy vendeve mbështetet në vlera të përbashkëta demokratike, në një partneritet të fortë të sigurisë brenda NATO-s dhe në një miqësi të kahershme mes popujve të të dyja vendeve. Në këtë kuadër, Ministri Hoxha nënvizoi se gjurmët e Shteteve të Bashkuara në momente kyçe dhe përcaktuese të historisë së Shqipërisë janë të pashlyeshme dhe mbeten një themel i fuqishëm për partneritetin strategjik, të fortë dhe gjithnjë e më të thelluar mes dy vendeve.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha shprehu angazhimin për të punuar ngushtë me Ambasadorin Wendt për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë zgjerimin e mundësive ekonomike dhe të investimeve, forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, si dhe për t’iu përgjigjur sfidave globale që kërkojnë koordinim të ngushtë mes aleatëve.

Ministri Hoxha theksoi gjithashtu se, për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, si përparësia kryesore kombëtare, dhe një partneritet i fortë e i qëndrueshëm transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje.

Shqipëria mbetet plotësisht e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe të lidhjeve transatlantike në vitet që vijnë.

Në përfundim, Ministri Hoxha i uroi Ambasadorit Wendt çdo sukses në misionin e tij në Shqipëri, duke shprehur pritshmërinë për një bashkëpunim të afërt, produktiv dhe të qëndrueshëm.