Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, priti në Tiranë Sekretarin e Përgjithshëm të International IDEA, Dr. Kevin Casas-Zamora. Takimi u përqendrua në forcimin e bashkëpunimit për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e besimit të qytetarëve në proceset demokratike.

Në këtë kuadër, u diskutua mbi programe konkrete bashkëpunimi, përfshirë “Besimi në Zgjedhjet Shqiptare”, që po zbatohet aktualisht në Shqipëri dhe synon të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut te proceset dhe institucionet demokratike.

Ministri Hoxha e njohu bashkëbiseduesin me përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar objektivin madhor kombëtar për t’u bërë pjesë e BE-së brenda kësaj dekade. Ai nënvizoi se arritjet në këtë proces mbështeten në reformat e ndërmarra dhe në angazhimin për forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë.

Duke vlerësuar përvojën e International IDEA në mbështetjen e qeverisjes demokratike, integritetit zgjedhor dhe aspiratave evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ministri Hoxha shprehu gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin.

Gjatë takimit u diskutua gjithashtu rëndësia e aftësisë së institucioneve demokratike për t’u përballur me sfidat dhe e garantimit që reformat të sjellin rezultate konkrete për qytetarët. Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të punuar me partnerët ndërkombëtarë në funksion të konsolidimit të demokracisë dhe të së ardhmes së saj evropiane.