Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb Ivica Daçiq, i cili gjatë fushatës elektorale premtoi se “do ta ngrinte sërish flamurin e tyre” në Kosovë.

Në reagimin e tij, ministri Hoxha thekson se retorika e tillë nxitëse nuk mund të trajtohet thjesht si retorikë politike, pasi mbart rrezikun e nxitjes së veprimeve që cenojnë paqen dhe sigurinë. Në këtë kontekst, ai sjell në vëmendje ngjarjen e Banjskës, për të cilën përgjegjësia e plotë ende nuk është përcaktuar, si një kujtesë të pasojave që mund të sjellë shndërrimi i fjalëve në veprime.

Shqipëria mbetet e bindur se rruga e vetme drejt së ardhmes kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të kapërcyer plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar pajtimin.

Megjithatë, siç nënvizon ministri Hoxha, bashkëpunimi i qëndrueshëm rajonal nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e realiteteve, vënien në pikëpyetje të legjitimitetit të fqinjëve apo përdorimin e retorikës kërcënuese për përfitime politike.

Ndërtimi i paqes dhe i besimit kërkon kohë, vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm. Përvoja evropiane dëshmon se këto vlera ndërtohen mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, e jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.

Në Ballkanin Perëndimor, pasojat e përçarjes, nacionalizmit dhe retorikës provokuese janë të njohura. Për këtë arsye, thekson ministri Hoxha, është thelbësore që mësimet e së kaluarës të mos harrohen dhe gabimet e saj të mos përsëriten.

Ministri Hoxha nënvizon se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit dhe një vend që vijon të konsolidojë pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar.

Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, ndërsa e ardhmja e saj duhet të jetë e orientuar drejt paqes, sigurisë, gjithëpërfshirjes dhe integrimit evropian.