Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, po zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin të Gjermanisë ku është takuar me Ministrin e Shtetit për Evropën, Gunther Krichbaum.

Hoxha dhe Krichbaum diskutuan rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe angazhimin e saj të palëkundur ndaj reformave dhe progresit të qëndrueshëm.

Ministrat u ndalën në mbështetjen e fortë të Gjermanisë për zgjerimin e BE-së dhe vendosmërinë e përbashkët për të siguruar një proces të besueshëm anëtarësimi të bazuar në meritë, që përkthen reformat në hapa konkretë drejt anëtarësimit të plotë.

Në një postim në rrjetin social X pas takimit, Hoxha theksoi se “Gjermania është një partner kyç dhe një mbështetëse e fortë e udhëtimit evropian të Shqipërisë.”

“Ne e vlerësojmë thellësisht këtë partneritet dhe presim me padurim të punojmë edhe më ngushtë së bashku për një marrëdhënie më të fortë dypalëshe dhe për të ardhmen e përbashkët evropiane”, deklaroi Ministri i Jashtëm.