Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri Hoxha u shpreh se në kuadër të këtij takimi u analizua ecuria e marrëdhënieve dypalëshe dhe u vu theksi veçanërisht te nevoja për ndërmarrjen e hapave konkretë dhe praktikë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. U vlerësua se niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve politike duhet të shoqërohet me rezultate edhe më të prekshme në fusha me interes të drejtpërdrejtë për qytetarët e të dy vendeve.

“Theksuam nevojën për të çuar përpara projekte me rëndësi strategjike dhe kombëtare, duke filluar nga Hekurudha Kuq e Zi dhe zhvillimi i korridoreve energjetike e të transportit, deri te forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në arsim, kulturë, shkencë, siguri, mbrojtje dhe diplomaci”, – nënvizoi ministri.

“Riafirmova mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të Shqipërisë për Republikën e Kosovës në çdo aspekt që kontribuon në forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, institucioneve dhe subjektivitetit të saj ndërkombëtar”, -tha ai.

Ministri u shpreh gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Kosovës, me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë, si në planin dypalësh ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke mbështetur përpjekjet e saj për konsolidimin e mëtejshëm të shtetit në interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve të saj, një investim i rëndësishëm për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.