Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me përfaqësues të Koning Willem II, me të cilët diskutoi mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, partneritetin me Mbretërinë e Vendeve të Ulëta dhe rolin e profesionistëve të çështjeve publike në hartimin e politikave të informuara, gjithëpërfshirëse dhe efektive.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe parimore të Vendeve të Ulëta për forcimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ai theksoi se përparimi drejt anëtarësimit në BE mbetet i lidhur ngushtë me zbatimin e reformave të besueshme, konkrete dhe të pakthyeshme.

Ministri nënvizoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian shkon përtej një procesi institucional apo burokratik. Ai kërkon që qytetarët, sektori privat dhe shoqëria civile të jenë pjesë aktive e tij, të kontribuojnë në reforma dhe të kërkojnë llogari për zbatimin e tyre.

Në takim u diskutuan gjithashtu mundësitë për zgjerimin e kontakteve mes qytetarëve, shkëmbimeve profesionale dhe lidhjeve ekonomike dypalëshe, si dhe për ndarjen e përvojave ndërmjet institucioneve. Ministri Hoxha theksoi se lidhjet e qëndrueshme mes institucioneve, profesionistëve dhe shoqërive të të dy vendeve forcojnë partneritetin dypalësh dhe i shërbejnë së ardhmes së përbashkët evropiane