Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në kuadër të bashkëpunimit ndër-sektorial, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi veprimtarinë informuese me temë “Çështja ‘Thaçi dhe të tjerët’ pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Kjo veprimtari synoi informimin e strukturuar dhe të përditësuar të nëpunësve të shërbimit të jashtëm mbi ecurinë e procesit gjyqësor, implikimet përkatëse ligjore dhe institucionale, si dhe mbi rëndësinë e një qasjeje të bashkërenduar ndërinstitucionale, në funksion të politikës së jashtme.

Gjatë veprimtarisë u trajtuan, në mënyrë të hollësishme, disa aspekte kryesore që lidhen me këtë proces, përfshirë kontekstin historik, politik dhe ligjor të krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përmbajtjen e akuzave të ngritura ndaj ish-drejtuesve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ecurinë e deritanishme të procesit gjyqësor.

Gjithashtu, u diskutua mbi pritshmëritë, apo skenarët e mundshëm ligjorë, si edhe përmasat politike dhe institucionale të kësaj çështjeje në raport me proceset e paqes, dialogut dhe ndërtimit të institucioneve në periudhën pas përfundimit të konfliktit.