Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Pas miratimit të raportit nga Komiteti për Punët e Jashtme në maj, Parlamenti Evropian votoi sot raportin e progresit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE me një shumicë dërrmuese.

Me 483 vota pro nga 656 anëtarë që morën pjesë në votim, duke përfaqësuar gati 74% mbështetje, Parlamenti Evropian riafirmoi përkrahjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe njohu progresin e konsiderueshëm që vendi ka arritur në fushat kryesore të reformave.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi këtë vendim si një tjetër votë të rëndësishme besimi për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe për transformimin e nxitur nga vite reformash të vendosura dhe punë të palodhur.

Sipas tij, mesazhi është i qartë: rruga evropiane e Shqipërisë po përparon, përpjekjet për reforma po japin rezultate konkrete dhe objektivi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm.

Ministri Hoxha shprehu falënderimet për Parlamentin Evropian, raporterin Schieder dhe të gjithë ata që vijojnë të mbështesin një proces zgjerimi të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë.

Ai theksoi se ende mbetet shumë punë përpara dhe se qëllimi i negociatave të anëtarësimit është vijimi i zbatimit të reformave të nevojshme për përmbushjen e standardeve të BE-së dhe garantimin e një transformimi të qëndrueshëm.

Ministri Hoxha nënvizoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.