Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës.

Në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit me Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në promovimin e trashëgimisë dokumentare të shtetit shqiptar.

Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti dhe Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, Tomi Frashëri.

Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve, në fushën e studimeve historike, shkëmbimit të informacionit arkivor dhe dokumentimit të trashëgimisë, që lidhet me sistemin e dekoratave dhe medaljeve të Republikës së Shqipërisë.

Në kuadër të saj, palët do të bashkëpunojnë në identifikimin, studimin dhe promovimin e dokumentacionit historik, që lidhet me procesin e dekorimeve shtetërore, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërkombëtare të vendit.

Bashkëpunimi do të përfshijë zhvillimin e projekteve të përbashkëta studimore dhe botuese, si dhe organizimin e aktiviteteve shkencore dhe ekspozuese, që do të kontribuojnë në rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi vlerën e këtij sistemi, si pjesë e historisë institucionale të shtetit.

Marrëveshja krijon një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërinstitucional dhe synon të kontribuojë në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare, që lidhet me dekorimet shtetërore, si pjesë e kujtesës institucionale dhe historike të Republikës së Shqipërisë.

Ky bashkëpunim mbështetet në fondet e Arkivit Historik dhe Diplomatik të Republikës së Shqipërisë, një arkiv me mbi 100 vite histori, që prej vitit 1922, dhe që përbën një burim thelbësor të kujtesës institucionale dhe të historisë së diplomacisë shqiptare, duke dokumentuar zhvillimet e shtetit shqiptar dhe marrëdhëniet e tij ndërkombëtare ndër dekada.