Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

“Të sjellim shtetin më pranë qytetarit”.

Me këtë mesazh, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, njoftoi nisjen e një procesi të ri për vlerësimin e shërbimeve konsullore nga vetë qytetarët, me synim përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Nga sot, në çdo pikë ku ofrohen shërbime konsullore, në çdo sportel ku kryhen veprime dhe në çdo sallë pritjeje, si në Ministri, ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike dhe konsullatat shqiptare, qytetarët do të gjejnë një QR Code, të cilin mund ta skanojnë për të plotësuar një formular vlerësimi.

“Me një skanim të thjeshtë, qytetarët do të mund të na japin përshtypjet e tyre për shërbimin, të evidentojnë problemet apo vërejtjet e tyre dhe, mbi të gjitha, të na thonë se çfarë mund të bëjmë ndryshe, më mirë dhe më shpejt”, deklaroi Hoxha në një videomesazh.

Sipas ministrit, QR Code përfaqëson një derë të hapur komunikimi mes qytetarit dhe institucionit, duke mundësuar identifikimin e problematikave dhe marrjen e sugjerimeve për përmirësimin e shërbimeve.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë: na tregoni çfarë nuk funksionon, na sugjeroni çfarë mund të përmirësojmë dhe ne do të punojmë për ta bërë më mirë. Sepse shërbimi konsullor nuk është thjesht një procedurë administrative. Është një pikë kontakti mes shtetit dhe qytetarit. Dhe në atë pikë kontakti, shteti duhet të jetë i shpejtë, i thjeshtë, i aksesueshëm, profesional dhe i përgjegjshëm”, u shpreh Ministri Hoxha.