Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

-Pyetje:

Cili ishte angazhimi konkret që mori Shqipëria në samitin e Ankarasë veçanërisht për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe shpenzimeve për mbrojtjen?

Gjithashtu, a pati kërkesa apo pritshmëri të reja nga aleatët ndaj vendit tonë pas konfirmimit se samiti i ardhshëm do të mbahet këtu në Tiranë?

-Përgjigje:

Mirëmbrëma!

Ju bëtë një përmbledhje të shkëlqyer të rezultateve të ditës së sotme të Samitit, një moment i veçantë për aleancën, një moment i veçantë për të gjitha vendet anëtare, natyrisht edhe për Shqipërinë, një moment shumë i rëndësishëm për sigurinë e vendeve të rajonit tonë dhe të gjithë hapësirës euroatlantike.

Shqipëria erdhi në këtë samit me ide shumë të qarta, me një pozicion tashmë të njohur, të ditur dhe me angazhime për rritjen e buxhetit të mbrojtjes në të dy elementët thelbësor; shumë të qartë, të paracaktuar, të njoftuar në aleancë dhe që janë pjesë e angazhimeve të vendit tonë përkrah të gjitha vendeve të tjera në qasjen e re që ka aleanca për forcimin e kapaciteteve të mbrojtes, të komponentit evropian të NATO-s;  dhe me projeksionin që brenda vitit 2035 të gjitha vendet anëtare të NATO-s mund të shkojnë në lartësinë e 5% të të ardhurave të brendshme bruto për shpenzimet e mbrojtjes.

Ky është një angazhim i mirë vendosur dhe në rastin tonë; i cili është i mirë kalendarizuar për një rritje progresive të shpenzimeve për mbrojtjen deri në vitin 2035.

Qëndrimet tona kanë qenë ato që pak a shumë janë të theksuara dhe në deklaratën e Aleancës, për forcimin e saj, për forcimin e sigurisë, për të treguar edhe një herë unitetin e Aleancës, dhe nevojën për të qenë të bashkuar përkrah rrezikut eminent dhe të parë dhe thelbësor që është rreziku rus por edhe kërcënimeve të tjera siç janë kërcënimet hibride, në mënyrë të tillë që Aleanca jo vetëm të forcohet por edhe të bëhet absolutisht kolona, shtylla kurrizore e mbrojtjes, sigurisë dhe zhvillimit në të gjithë hapësirën e saj.

-Pyetje:

Duke qenë se samiti i ardhshëm i NATOS-s do të zhvillohet pikërisht në Tiranë siç u vendos, çfarë mesazhi mori Shqipëria nga aleatët për organizimin e tij?

Cilat janë prioritet diplomatike dhe të sigurisë që vendi ynë duhet të përmbushë dhe kur pritet të zhvillohet samiti, meqenëse në deklaratën përfundimtare nuk është saktësuar viti 2027?

-Përgjigje:

Mënyra e shpalljes së mbajtjes së samitit në Tiranë, e cila është fryt i një pune të paktën dy vjeçare të qeverisë shqiptare, të strukturave të saj, të Shërbimit të Jashtëm, të Ministrisë së Jashtme, të Ministrisë së Mbrojtjes, pra të gjithë atyre që janë të përfshirë në marrëdhëniet thelbësore me aleancën, është absolutisht një lajm i mirë.

Siç ju thashë është një nga angazhimet madhore të këtyre kohëve dhe është ndoshta një tjetër gur kilometrik në prezantimin e Shqipërisë në botë, në prezantimin e aftësive dhe të pjekurisë, të cilën ka arritur Shqipëria për të qenë me prestigjin e saj në organizimin e aktiviteteve madhore.

Natyrisht që është samiti i parë i organizuar i aleancës në historikun tonë dhe do të jetë një tjetër gur kilometrik në prezantimin tonë në botë.

Ne e mendojmë që mënyra sesi u prezantua, ka qenë një qasje e përbashkët, nuk ishte e nevojshme të theksohej dhe në këtë deklaratë, meqenëse ka qenë e parashikuar në delaratën e samitit që u bë në Hagë në vitin 2025; që samiti pas Ankarasë do të mbahej në Tiranë, kështu që për të dhënë më shumë fleksibilitet (duke mbajtur parasysh që samitet historikisht janë zhvilluar çdo dy vjet, por që nga agresioni rus janë zhvilluar çdo vit), do përputhemi me nevojën për të pasur një qasje më të drejtpërdrejtë dhe më të shpeshtë në lidhje me analizën e situatës në hapësirën euroatlantike. Dhe natyrisht që duke patur parasysh që këto analiza janë në evoluim e sipër; aleatët janë të vendosur që për samitin e ardhshëm nuk diskutohet që do të mbahet në Tiranë.

Do të duhet të vazhdojmë bisedimet të paracaktueshme se kur është koha më e përshtatshme. Mund të jetë nga viti 2027, natyrisht në qoftë se gjejmë dakordsinë në elementët e nevojshëm për ta mbajtur atë samit në Tiranë, ose do të jetë ndoshta në fillim të vitit vijues.

Kjo për ne nuk ka ndonjë rëndësi të madhe sepse ne i kemi filluar përgatitjet, do t’i bëjmë përgaitjet dhe do të jemi të aftë ta realizojmë ashtu siç bëmë për komunitetin politik evropian, edhe në këtë qasje madhore të parë për historinë e Shqipërisë.

Të jemi në lartësinë e profesionalizmit që kemi treguar dhe në lartësinë e mikpritjes që pala shqiptare ka treguar tanimë dhe e ka vërtetuar në mënyrë të padiskutueshme.

Ne jemi duke punuar, strukturat tona janë absolutisht të mirë përcaktuara, kemi ngritur një task-forcë e cila ishte po ashtu e pranishme edhe në Ankara për të marrë eksperiencë, ka vizituar edhe Brukselin dhe do vazhdojmë tani me një ritëm shumë më të përshpejtuar të punës, sepse tani e dimë që në një periudhë të caktuar kohore ne do të duhet të mirëpresim të gjithë liderët, aleatët, dhe të gjithë ata që gravitojnë përreth organizatës së Atlantikut të Veriut.