Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Tiranë, 18 nëntor 2026 – Në mjediset e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua sot mbledhja e Komitetit të Monitorimit për zbatimin e projekteve prioritare në kuadër të Marrëveshjes Ndërqeveritare Shqipëri–Francë.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, dhe Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, ndërsa delegacioni francez nga Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe Drejtuesi i Departamentit Ekonomik Rajonal pranë Thesarit Francez, Pierre Sentenac. Në takim morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve shqiptare, Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe Bpifrance Assurance Export.

Diskutimet u përqendruan në ecurinë e projekteve në zbatim, si dhe në prioritetet e ardhshme të bashkëpunimit, me synim avancimin e nismave konkrete me rëndësi strategjike për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

Takimi rikonfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik Shqipëri–Francë.

Franca mbetet një partner i rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit dhe rrugëtimit evropian të Shqipërisë, ndërsa Marrëveshja Ndërqeveritare përbën një instrument konkret për përkthimin e këtij bashkëpunimi në projekte dhe rezultate të prekshme.