Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në datë 21 tetor 2026, u zhvillua në Romë, Dialogu i parë Shqipëri-Itali për Sigurinë Kibernetike, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe të Agjencive Kombëtare përgjegjëse për sigurinë kibernetike të të dy vendeve.

Dialogu u zhvillua në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Dypalësh në Fushën e Sigurisë Kibernetike, të nënshkruar në nivel të Ministrave të Jashtëm gjatë Mbledhjes së Përbashkët Ndërqeveritare Shqipëri–Itali (G2G), të zhvilluar në Romë më 23 nëntor 2025. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe vijimit të mbështetjes së vazhdueshme të Italisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Takimi u hap nga Sekretari i Përgjithshëm i MEPJ-se, z. Armand Skapi dhe homologu i tij, Amb. Riccardo Guariglia. Gjatë takimit, të dy delegacionet shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet më të fundit në mjedisin e kërcënimeve kibernetike, strategjitë dhe politikat kombëtare në këtë fushë, zbatimin e kuadrit të Kombeve të Bashkuara për sjelljen e përgjegjshme të shteteve në hapësirën kibernetike, si dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në kuadër të NATO-s. Palët nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të respektimit të së drejtës ndërkombëtare për garantimin e një hapësire kibernetike të sigurt, të qëndrueshme dhe të besueshme.

Vëmendje e veçantë iu kushtua progresit të Shqipërisë për përafrimin me acquis-në dhe kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian, veçanërisht me Direktivën NIS2 në fushën e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike. Gjithashtu, u theksua rëndësia e zhvillimit të aftësive digjitale dhe e forcimit të kapaciteteve kombëtare për përballimin e kërcënimeve kibernetike ne hapësirën euro-atlantike. Në këtë kontekst, u evidentua edhe renditja e Shqipërisë në vendin e parë në botë në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike (NCSI), për vitin 2026.

Dialogu riafirmoi angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike, përballimin e sfidave të përbashkëta dhe kontributin në ruajtjen e sigurisë të hapësirës euro-atlantike. Palët ranë dakord të vijojnë konsultimet për zhvillimin e projekteve konkrete të bashkëpunimit gjatë muajve të ardhshëm, veçanërisht më kuadër të zhvillimit të kapaciteteve institucionale dhe profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira, forcimin e koordinimit institucional dhe organizimin e trajnimeve të përbashkëta.

Dialogu për Sigurinë Kibernetike përforcon partneritetin strategjik Shqipëri-Itali dhe riafirmoi  angazhimin e përbashkët për sigurinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe avancimin e një hapësire digjitale të sigurt e të qëndrueshme. Në përfundim, të dyja palët vlerësuan Dialogun si një mekanizëm të rëndësishëm për konsultimin dhe koordinimin dypalësh, duke shprehur gatishmërinë për zhvillimin e takimit të dytë në Shqipëri gjatë vitit 2027.