Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Në ambientet e Selisë së Shenjtë u zhvillua ceremonia e kremtimit të Festës Kombëtare të Shqipërisë, e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, miqve dhe të ftuarve të shumtë.

Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, si dhe Kardinali i parë shqiptar, Ernest Simoni.

Kremtimi mori një domethënie të veçantë këtë vit, në kuadër të 35-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Me këtë rast u prezantua edhe pulla e përbashkët postare kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, e cila simbolizon trashëgiminë e përbashkët shpirtërore, miqësinë dhe lidhjet e thella historike që bashkojnë dy vendet.

Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si një vlerë e konsoliduar e shoqërisë shqiptare dhe një kulturë e përditshme respekti, mirëkuptimi dhe bashkëjetese mes komuniteteve fetare.

Në mesazhin e tij, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nënvizoi angazhimin e përbashkët të Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë për dinjitetin njerëzor, dialogun, paqen, zhvillimin dhe begatinë.

Duke iu referuar situatës ndërkombëtare, të karakterizuar nga pasiguria, tensionet, konfliktet dhe vuajtjet njerëzore, Ministri Hoxha theksoi se diplomacia e duruar dhe këmbëngulëse në kërkim të paqes nuk është luks, por një domosdoshmëri.

Shqipëria do të vijojë të forcojë marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e ngushtë me Selinë e Shenjtë, duke mbështetur dialogun dhe duke promovuar paqen, mirëkuptimin dhe vlerat e përbashkëta- përfundoi Ministri Hoxha.