Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Më 26 nëntor 2026, në Wiener Neustadt, në Landin e Austrisë së Ulët, u inaugurua Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë, e drejtuar nga Dr. Bernhard Müller, ish-kryetar i Bashkisë së këtij qyteti.

Kancelari Federal i Austrisë, Christian Stocker, përshëndeti inaugurimin përmes një videomesazhi, duke i uruar suksese Konsullit të ri të Nderit. Në ceremoni përshëndetën gjithashtu Sekretarja e Shtetit, Ulrike Königsberger-Ludwig, dhe anëtari i Qeverisë së Landit të Austrisë së Ulët, Sven Hergovich.

Me inaugurimin e konsullatave të nderit në Linz dhe Wiener Neustadt, Shqipëria zgjeron rrjetin e saj konsullor në Austri, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe institucional, promovimin e vendit dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin shqiptar.

Në kuadër të ceremonisë në Wiener Neustadt, Ambasada e Shqipërisë në Austri nderoi me certifikata dhe medalje mirënjohjeje dy mjekë shqiptarë, Dr. Danjel Koni dhe Dr. Aurel Toma, për kontributin e tyre profesional në shoqërinë austriake.

Shqipëria tashmë përfaqësohet në Austri nga tre konsuj nderi, ndërkohë që po punohet për zgjerimin e mëtejshëm të rrjetit konsullor edhe në Landin e Salzburgut.