Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka mbërritur në Sofje të Bullgarisë ku në kuadër të mbylljes së Presidencës së Bullgarisë në Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore për periudhën 2025–2026, do të zhvillohet Takimi i Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së.

Paraditen e sotme, Hoxha është pritur në një takim bilateral nga Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova, takim që rikonfirmoi partneritetin e fortë midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Në një postim në X pas takimit, Hoxha theksoi se “diskutimet tona nxorën në pah rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në sektorë kyç si energjia, infrastruktura dhe ndërlidhja strategjike”.

“Në këtë kontekst, nënvizuam rëndësinë e Korridorit VIII si një lidhje me rëndësi jetike midis rajoneve të Adriatikut dhe Detit të Zi, me potencial të konsiderueshëm për të rritur tregtinë, lëvizshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në të gjithë Evropën Juglindore” -shkruan Hoxha.

Ministri i Jashtëm shtoi se Shqipëria vlerëson mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për procesin tonë të anëtarësimit në BE dhe avokimin e saj të vazhdueshëm për një politikë të besueshme zgjerimi.