Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Përgjatë vizitës së saj zyrtare në Greqi, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua me komunitetin shqiptar në Athinë.

Spiropali deklaroi se “shqiptarët e Greqisë përfaqësojnë një kapitull të gjallë të historisë moderne të Shqipërisë”.

Ministrja theksoi se “ne jemi plotësisht të angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.”

“Ju keni punuar për vite me radhë në Greqi, keni kontribuar me mund, sakrificë dhe ndershmëri në ekonominë e këtij vendi dhe është plotësisht e drejtë që këto kontribute të njihen dhe të respektohen. Pikërisht për këtë arsye, mbrojtja e të drejtave tuaja shoqërore është një prioritet i qartë për ne. Prandaj, e kemi vendosur këtë çështje në majën axhendës së diskutimeve dypalëshe. Bisedimet teknike për të mundësar këtë të drejtë vijojnë dhe kam bindjen që pas marrëveshjes së nënshkruar me Italinë, shpejt do të mund të finalizojmë edhe këtë marrëveshje të shumëpritur me Greqinë”, tha Spiropali.

Postimi i Spiropalit:

Ku ka shqiptarë, ka zemër të mirë, ngrohtësi, atdhedashuri.

Me shqiptarët e Greqisë, që përfaqësojnë një kapitull të gjallë të historisë moderne të Shqipërisë, në një pritje të veçantë kuqezi në zemër të Athinës.

Krenare për këtë komunitet që me sakrificë, punë, ndershmëri, dinjitet ka ndërtuar jetën pa harruar rrënjët.

Ne jemi plotësisht të angazhuar për të arritur Marrëveshjen për Pensionet, për garantimin e të drejtave dhe rritjen e aksesit në shërbime për shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.