Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Reagim i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali:

Situata në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë të rrezikshme përshkallëzimi, me pasoja që tejkalojnë kufijtë e rajonit dhe prekin sigurinë globale.

Në qendër të kësaj krize nuk janë vetëm shtetet dhe strategjitë. Janë njerëzit.
Në Iran, qytetarë të zakonshëm kanë dalë në rrugë për dinjitet dhe liri. Shumë prej tyre janë vrarë. Të tjerë janë burgosur, apo zhdukur.

Ne nuk mund ta trajtojmë këtë si një episod gjeopolitik. Duhet ta shohim për atë që është: përballje e një shoqërie me shtypjen.

Në këtë përballje, gratë dhe vajzat iraniane kanë qenë në vijën e parë. Ato janë bërë simbol i qëndresës frymëzuese— por edhe viktima të dhunës më brutale. Shumë prej tyre janë sakrifikuar. Emrat e tyre mund të mos njihen të gjitha, por sakrifica e tyre është reale dhe e rëndë.
Ne i nderojmë ata që kanë humbur jetën në kërkim të lirisë.

Shqipëria ka qenë dhe mbetet e qartë: regjimi i ajatollahëve ka shtypur popullin e vet për dekada dhe ka kontribuar në destabilizimin e rajonit përmes veprimeve dhe strukturave që cenojnë sigurinë ndërkombëtare.

Njëkohësisht, ne dënojmë çdo sulm ndaj civilëve dhe çdo veprim që rrezikon përshkallëzim të pakontrolluar ushtarak. Sulmet dhe kërcënimet që kanë prekur Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin, vendet e Gjirit, si dhe interesat dhe personelin amerikan në rajon, janë të papranueshme. Siguria e aleatëve tanë dhe stabiliteti rajonal nuk mund të vihet në pikëpyetje.

Shqipëria qëndron përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, në mbrojtje të sigurisë kolektive. Por qëndrimi ynë buron edhe nga përvoja jonë historike: ne e dimë çfarë do të thotë diktaturë dhe çfarë çmimi paguhet për lirinë.

Në këtë moment delikat nevojitet maturi diplomatike, por edhe qartësi morale. Paqja e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi përgjegjësi dhe respekt për jetën njerëzore.

Liria ka fytyrë. Sot, ajo fytyrë është shpesh ajo e një gruaje apo një vajze iraniane që ka zgjedhur të mos heshtë.