Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Shqipëria shpreh solidaritetin e plotë me Holandën dhe Austrinë pas sulmeve të fundit ruse ndaj Kievit, të cilat shkaktuan dëme edhe në mjediset e misioneve të tyre diplomatike.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi se sulmet e përsëritura ruse kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë.

Ministri Hoxha nënvizoi se misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare dhe se siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Ai e cilësoi të papranueshëm çdo sulm që i vë në rrezik, duke kërkuar dënimin e tyre pa ekuivok dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë.

Sipas Ministrit Hoxha, këto goditje përbëjnë një tjetër dëshmi të karakterit të pamëshirshëm të luftës së agresionit që Rusia vijon kundër Ukrainës, si dhe të shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare.

Në përfundim, Ministri Hoxha riafirmoi rëndësinë e unitetit dhe vendosmërisë në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe kundër agresionit rus.