Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, të zhvilluar në Pržno, Mali i Zi.

Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, në funksion të një rajoni më të sigurt, më konkurrues dhe më të ndërlidhur.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxha rikonfirmoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian.

Ministri Hoxha theksoi se siguria e Ballkanit Perëndimor dhe siguria e Evropës janë të pandashme, veçanërisht në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik.

“Në një mjedis gjithnjë e më kompleks gjeopolitik, përgjigjja ndaj sfidave tona të përbashkëta qëndron te bashkëpunimi më i fortë, uniteti më i madh dhe një Evropë më e qëndrueshme dhe më e aftë për t’u përballur me sfidat. Dhe për ne, kjo ka një emër: zgjerimi. Jo si një favor apo shpërblim, por si një proces i bazuar në merita dhe i mbështetur në reforma kuptimplota e me ndikim, duke qenë njëkohësisht një investim strategjik për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës”, u shpreh Ministri Hoxha.

Duke iu referuar rëndësisë së Procesit të Berlinit, Ministri Hoxha nënvizoi se integrimi evropian nis shumë përpara anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ndërtohet përmes rezultateve konkrete.

Sipas tij, bashkëpunimi praktik, lëvizshmëria dhe kontaktet mes njerëzve, njohja e ndërsjellë e diplomave, ndërlidhja dhe Tregu i Përbashkët Rajonal janë pjesë e një procesi që sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, forcon lidhjet rajonale dhe i afron shoqëritë e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

“Një nga mësimet më të rëndësishme të Procesit të Berlinit është se integrimi evropian fillon në shtëpi, shumë përpara anëtarësimit. Ai përparon përmes bashkëpunimit praktik, lëvizshmërisë dhe kontakteve mes njerëzve, njohjes së ndërsjellë të diplomave, ndërlidhjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal, pra, përmes arritjeve konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve, thellojnë lidhjet rajonale dhe i afrojnë gjithnjë e më shumë shoqëritë tona me Bashkimin Evropian”, përfundoi Ministri Hoxha.