Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, reagoi në platformën X lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga “të paktën dy vende të rajonit” në veprimtari të koordinuara hibride, si dhe me interpretimet dhe aludimet mediatike që pasuan.

Duke theksuar se deri më tani nuk është formuluar asnjë akuzë zyrtare ndaj Shqipërisë, Ministri Hoxha bëri thirrje për qetësi, maturi dhe përgjegjësi në trajtimin e raportimeve të bazuara në burime anonime apo të paidentifikuara.

Në reagimin e tij, Ministri Hoxha shkruan:

“Një sqarim përpara se të bëhemi pjesë e zhurmës apo të ndezim zjarre të panevojshme, që duan shumë më tepër kohë për t’u shuar.

Kam parë deklaratën e Kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajić, për përfshirjen e pretenduar të zyrtarëve nga ‘të paktën dy vende të rajonit’ në veprimtari të koordinuara hibride. Kam parë gjithashtu interpretimet dhe aludimet e ndryshme mediatike që kanë pasuar.

Raportimet e mediave janë pjesë e debatit publik. Ne i lexojmë dhe i analizojmë me vëmendjen e duhur, por i marrim me rezervën e nevojshme, aq më tepër kur mbështeten në burime të paidentifikuara ose përmbajnë interpretime të ndryshme apo kontradiktore.

Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe as askund tjetër.

Shqipëria dallon sepse bën pikërisht të kundërtën: investon çdo ditë në bashkëpunimin, mirëkuptimin, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në bashkëpunimin më të gjerë evropian dhe euroatlantik.

Hamendësimet, interpretimet mediatike apo debatet e brendshme politike të një vendi fqinj nuk mund dhe nuk duhet të prodhojnë artificialisht probleme mes dy vendeve tona. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimović, si dhe me Zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj.

Kjo duhet mbajtur parasysh edhe këtu tek ne. Aktorët e ndryshëm, përfshirë ata politikë, janë të mirëpritur të marrin nga MEPJ çdo informacion të nevojshëm për të shmangur debate të panevojshme dhe, mbi të gjitha, për të mos lejuar që politika e jashtme e vendit të kthehet në objekt apo instrument të debateve dhe qasjeve partiake të brendshme.

Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi.”