Ministria per Evropën dhe Punët e Jashtme

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme mirëpriti sot në Tiranë grupin e fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” nga Manastiri, Maqedonia e Veriut, në kuadër të një vizite që synon të promovojë mësimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit kulturor të komunitetit shqiptar në rajon.

Fëmijëve, të shoqëruar nga prindër dhe mësues, ju urua mirëseardhja nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD). Në takim morën pjesë, gjithashtu, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti, Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Oriana Osmani, si dhe Ambasadori Denion Mejdani.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, fëmijët vizituan shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria”, ku zhvilluan një aktivitet të përbashkët me rastin e 7 marsit, me nxënës dhe mësues të kësaj shkolle, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e lidhjeve të reja mes bashkëmoshatarëve.

Programi vijoi me një aktivitet kulturor në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe një vizitë në Teatrin e ri të Kukullave në Tiranë.
Një përfaqësi e nxënësve, mësuesve dhe prindërve zhvilloi gjithashtu një intervistë në studiot e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), ku ndanë përvojën e tyre dhe prezantuan iniciativën e Bibliotekës “Linkest”, e cila mbështet aktivitetet edukative dhe kulturore të këtij grupi fëmijësh.

Vizita u përmbyll me një pritje zyrtare në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e organizuar nga Zëvendësministrja Vilma Premti dhe Zëvendësministrja Miriam Shyti, në nder të fëmijëve, prindërve dhe mësuesve që morën pjesë në këtë aktivitet.
Kjo nismë, e ndërmarrë me iniciativë të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, synon të mbështesë dhe inkurajojë projekte që promovojnë gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar tek brezat e rinj të komunitetit shqiptar në rajon.

Grupi “Zogjtë e Manastirit” përbën një shembull të angazhimit qytetar dhe të bashkëpunimit mes prindërve, mësuesve dhe iniciativave kulturore, duke dëshmuar rëndësinë e investimit në gjuhë, kulturë dhe arsim për ruajtjen dhe zhvillimin e komunitetit shqiptar në Manastir.